Përderisa gjithandej rajonit protestat po bëjnë punë, opozita në Kosovë po ndihet rehat. Ashtu si dhe Qeveria. Në vend se të vazhdojnë të mbushin sheshin protestues, partitë opozitare kanë zgjedhur të bëjnë performanca folklorike. Kauza për dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa ka dështuar, bashkë me unitetin e opozitës. Kanë dështuar seriozisht.
Para pak ditësh, protestuesit në Prizren kërkuan dorëheqjen e kryetarit të Komunës, Ramadan Muja dhe të ministrave Kujtim Shala e Ferid Agani.
Ata u mblodhën në shesh të kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e trevjeçares Xheneta Gashi nga shembja e një shtëpie të vjetër. Kryetari i dënuar i Prizrenit nuk e ka lëshuar ende karrigen, ndonëse reagimi qytetar atje plotësoi mozaikun e protestave nëpër vendet e rajonit, në atë që u quajt “pranvera ballkanike”.
Por, kështu nuk ndodhi javën e kaluar në Mitrovicë, ku një protestë e thirrur për të kundërshtuar disa veprime të Serbisë në Kosovë dështoi. Për Prishtinën të mos flasim. Tashmë është harruar se çfarë don të thotë protestë.
Ndryshe nga Mitrovica, çështjet e arsimit i nxorën në rrugë dhjetëra mijëra vetë në Zagreb dhe në qytete të tjera të Kroacisë, nën moton “Kroacia mundet më mirë”.
Në kulmin e krizës politike, që solli rënien e qeverisë, qytetarët po kërkonin që për reformën në arsim fjalën ta thonë ekspertët, e jo politikanët.
Në Serbi qytetarët janë revoltuar për tjetër gjë. Beogradasit po protestojnë kundër ndërtimit të projektit qindra-milionësh “Beogradi në ujë” dhe po kërkojnë dorëheqjen e përgjegjësve që autorizuan njerëz të maskuar që të rrënojnë objekte në lagjen Savamala, ku duhet të ndërtohet projekti.
Ndërkaq qytetarët e Novi Sadit kanë dalë publikisht në mbrojtje të Radiotelevizionit të Vojvodinës, pas ndryshimeve kadrovike që kanë ndodhur aty. Ata po duan ta ruajnë transmetuesin publik nga ndërhyrjet politike, duke e konsideruar vlerë të veçantë.
Në Maqedoni, ndërkaq, vazhdon tash e dy muaj i ashtuquajturi “revolucioni laraman”. Edhe në Shqipëri mbahen protesta të herëpashershme
Por, çfarë po ndodh në Kosovë? Apati e rehati, ndonëse kosovarët përballen me shumë më shumë probleme sesa fqinjët e tyre.
Protestat e opozitës dhe të shoqërisë civile me kërkesë dorëheqjen e Isa Mustafës u ndërprenë për arsye inatesh partiake, ndërkohë që kauzat për të cilat u protestua janë ende të pazgjidhura. Asgjë nuk ka ndryshuar që atëherë dhe asnjë arsye e vetme nuk ekziston që protestat të mos vazhdojnë sërish.
Por opozita ka zgjedhur të pushojë dhe të arsyetohet se do të kundërshtojë votimin e marrëveshjeve në Kuvend. Kështu thoshte edhe për zgjedhjen e Hashim Thaçit president, por dështoi të pengojë ardhjen e tij në post.
Momentin e krijuar me mbështetje të madhe të shoqërisë opozita nuk diti ose nuk deshi ta shfrytëzojë, duke bërë që të mbytet edhe shpresa për ndryshim.
Është vështirë, jashtëzakonisht vështirë që t’i animosh edhe njëherë njerëzit për të dalë në rrugë dhe për të kërkuar rënien e Qeverisë.
Jo pse ata nuk kanë arsye ta bëjnë një gjë të tillë, por qytetarët janë ndjerë të tradhtuar nga opozita, e dila nuk e ka çuar tutje kundërshtimin e tyre, vullnetin e tyre. Dhe, për më keq, nuk e ka dhënë një arsye të besueshme se pse ka ndodhur përçarja dhe, rrjedhimisht, ndalja e protestave.
Në vend se të vazhdojnë të mbushin sheshin me mijëra protestues, partitë opozitare kanë zgjedhur të bëjnë përformanca folklorike. Në vend që ta forcojnë unitetin dhe të çojnë përpara kauzat, ato janë bërë pikë e pesë.
Opozita nuk po mund të këndellet dhe po sillet si pa krye ndërmjet ideve politike të harxhuara dhe energjisë së re qytetare që mund të shpërthejë, por s’ka kush ta kanalizojë.
Është shumë e vështirë që qytetarët t’iu besojnë liderëve opozitarë, po që se ata bëjnë sërish thirrje për t’u mbledhur në shesh, në kundërshtim të Asociacionit… e demarkacionit. Është pak e besueshme se ata do t’i përgjigjen sërish thirrjes për dorëheqjen e Isa Mustafës. Dhe, kanë të drejtë.
Sepse, në momente kyçe u braktisën po nga këta liderë. Në momente kyçe u dëshpëruan nga ata që propagandonin unitet, por nuk ia dolën ta mbajnë atë.
Nëse opozita konsideron se marrëveshjet mund të pengohen vetëm në Kuvend – e ka gabim. Ashtu siç është gabim nëse mendohet se Isa Mustafës do t’i teket të jep dorëheqje një ditë të bukur.
Opozita ua ka borxh qytetarëve një sqarim të arsyeshëm për gjithë atë që ka ndodhur. Të tregojë edhe se ku gjendet tash, në raport me ta dhe si do të veprojë.
Vetëm atëherë mbase do të mund t’i përligj veprimet e mëtejme, respektivisht t’i ringjall kauzat tashmë të dështuara.
Përndryshe, askush nuk iu beson deklaratave të nxehta në këto ditë vere. Dhe s’ka pse t’iu besojë, kur opozita ka dhënë prova të mjaftueshme se di të dështojë. Të dështojë me qëllim. Të dështojë seriozisht.