Kryeministri Isa Mustafa për herë të parë e ka përmendur mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme nëse Marrëveshja për Demarkacionin nuk kalon në Kuvend.
Edhe shefi i partisë më të madhe në vend, Kadri Veseli, thotë se koalicioni mund të rrëzohet nëse nuk ka vendimmarrje. Ndërsa partitë opozitare e mirëpresin gatishmërinë e shefit të Qeverisë për zgjedhje, shkruan sot, gazeta Zëri.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka përmendur për herë të parë mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme nëse Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi nuk kalon në Kuvend.
I pari i Qeverisë kërkesave të opozitës për zgjedhje të parakohshme vazhdimisht i është përgjigjur negativisht deri më tani, duke ia përmendur afatin e rregullt zgjedhor – në qershor 2018.
Por dështimi i njëpasnjëshëm i kalimit të Demarkacionit në Kuvend, si rezultat edhe i izolimi të vendit nga Bashkimi Evropian, si duket ia ka ndërruar mendjen shefit të Qeverisë sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve.
Gjatë një interviste për radion “Evropa e lirë” (REL) kryeministri Mustafa ka pranuar se nëse Kuvendi nuk e ratifikon Demarkacionin, zgjedhjet janë opsion.
“Do të shkojmë në Kuvend. Kuvendi duhet ta marrë përgjegjësinë për këtë.
Mendoj që është përgjegjësi shumë e madhe, sepse natyrisht që një Kuvend i cili nuk e konsideron çështjen e nxjerrjes së qytetarëve të vet nga izolimi dhe i mban në izolim për kauza politike ose për interesa personale, mandej shtrohet pyetja se a ka të drejtë morale edhe më tutje të ekzistojë apo ta rivlerësojë vetveten?”, ka thënë Mustafa.