Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës po jetojnë në skamje dhe pa mbështetje institucionale, shkruan sot, gazeta Zëri.
Rreth 20 mijë gra u dhunuan seksualisht nga forcat serbe gjatë luftës 1998/99. Pas mbarimit të luftës secila nga to u pa si “turp për familjen dhe shoqërinë”.
Madje disa mbetën edhe pa familje. Bashkëshortët me të marrë vesh se gratë e tyre janë viktima të dhunës seksuale të luftës i ndanë edhe nga fëmijët, i kthyen tek prindërit e tyre për krimin që e bënë të tjerët ndaj tyre.
Tani viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës po jetojnë në skamje dhe pa mbështetje institucionale as për problemet e shumta shëndetësore që kanë, fizike apo mendore qofshin ato. Në një rrëfim për “Zërin” katër nga gratë e dhunuara seksualisht gjatë luftës në rajonin e Drenicës flasin për braktisjen nga familja, të harruara nga institucionet dhe të sjella në gjendjen që ta tentojnë edhe vetëvrasjen.
V. H., (emër i njohur për redaksinë) rrëfen se ishte nuse dyjavëshe në njërin nga fshatrat e Drenasit, ku forcat serbe filluan ta ndjekin popullatën, ta kryejnë vrasjen e banorëve dhe djegien e shtëpive.
Viktima e parë ishte vjehrri i saj, që u masakrua për së gjalli, duke ia nxjerrë sytë dhe duke ia prerë gjymtyrët. Kështu thotë ajo vepruan me meshkujt që i gjetën nëpër shtëpi e që kryesisht ishin pleq, përderisa meshkujt e rinj, siç ishte edhe bashkëshorti i saj, dhëndër dyjavësh, ajo tregon se iku në mal me të tjerët.
“Na zgjodhën të gjitha nuset e reja dhe na përdhunuan gjatë tërë asaj dite e nate”. Të nesërmen ajo thotë se ka parë gra që po i nxirrnin nga ato shtëpi dhe po u vishnin rroba. “Na humbte vetëdija nga tortura dhe ajo çka bënin me ne”, thotë ajo derisa rrëfen se edhe tani e kërkon vdekjen për atë që ka kaluar.
Pas përfundimit të luftës kjo 19-vjeçare, pasi bashkëshorti i saj merr vesh se është e përdhunuar nga forcat e serbe i nënshtrohet dhunës nga ana e tij.
“Kur erdh burri nga mali e mori vesh çka na kanë bërë më rrahu aq shumë sa më humbi edhe shikimi i syrit të majtë. Ai më ndau dhe me ktheu tek prindërit”. Tani e mbetur pa burrë, pa punë, në shtëpi tek vëllezërit, ku ndihet e huaj dhe terapia që i mungon, ajo thotë se lutet që vdekja ta marrë. “Nga institucionet nuk kemi ndihmë, pse jetojmë ne?”, thotë për “Zërin” V. H.