Që nga marsi, asnjë kandidat që ka aplikuar për marrjen e patentë-shoferit nuk ka mundur të hyjë në provim teorik dhe praktik, për shkak të përhapjes së Coronavirusit në Kosovë.
Mirëpo, që nga e hëna ata do të kenë mundësi që të përfundojnë procesin që kishin nisur më parë. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi.
Abrashi për Ekonomia Online thotë se me lehtësimin e masave, fillon edhe ky sektor të funksionojë, teksa thotë se vendimi për lirim nuk ka qenë i lehtë.
“Po pandemia e shkaktuar ka bërë që ky sektor të mos funksionojë dhe kemi pasur edhe pakënaqësi që kanë qenë evidente dhe protesta nga auto-shkollat. Unë me marrjen e detyrës kam kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që këto kategori të lirohen, pasi që është liruar edhe vet transporti publik”.
“Nuk ka qenë e lehtë sepse atë kohë kanë kërkuar që të lirohen këto dy veprimtari, transporti ajror dhe auto-shkollat por që kanë hezituar për shkak të pandemisë. Sidoqoftë ne kemi një periudhë këto dyja dhe nga e hëna do të fillojë procesin e licencimit për kandidatë”, tha ai.
Ditë më parë, Abrashi thotë se kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme, e që për synim kanë pjesëmarrjen e stafit të autorizuar nga MPB-ja në cilësinë e vëzhgimit në provimet për shofer.
E kjo gjë, sipas Abrashit po konsiderohet si hap i rëndësishëm i këtyre dy dikastereve, për të cilën thotë se do ta pamundësojë keqpërdorimet gjatë këtij procesi, raporton EO.
“Marrëveshja me Ministrinë e Punëve të Brendshme, shkon një hap përpara, të gjithë jemi dëshmitarë për shumë procese dhe ndërhyrje të policisë që ka pasur edhe hetime në këtë sektor, në mënyrë që të rrisim sigurinë më shumë dhe ta shtojmë sigurinë te kjo fushë sepse ndikon edhe në trafik e siguri”.
“Ne kemi bërë një marrëveshje me MPB-në dhe me Policinë e Kosovës, ku këta të fundit do të jenë mbikëqyrës të procesit praktik dhe teorik të marrjes së patentë-shoferit. Besoj se kjo e shtyn një hap para sigurinë dhe qëndrueshmërinë në këto teste që po ndodhin”, u shpreh ai.
Abrashi thotë se ka kërkuar që edhe sallat ku mbahen testet të jenë të pajisura me kamera dhe të ketë një vëmendje më të shtuar për mundësinë për korrupsion, por edhe me çështje që ndërlidhen me këtë proces.