Komisioni për Arsim, ka diskutuar lidhur me kërkesat e Këshillit Kombëtar Shqiptar nga vizita e përbashkët e realizuar në Luginë të Preshevës. Më këtë rast u vendos që të thirret seancë e jashtëzakonshme për të hënën ku do të dilet me një vendim obligues për ndihmë Luginës së Preshevës.
Para se të merret vendimi për seancën e jashtëzakonshme deputetët diskutuan për mënyrat e ndihmës për Kosovën Lindore.
Teuta Hagjiu nga AAK-ja tha se kërkesat dhe nevojat e popullatës së Luginës së Preshevës, duhet të merren me seriozitet nga institucionet kosovare dhe at otë Shqipërisë.
“Ata kërkuan një fond për Luginën, mënyra se si shkojnë mjetet ishte e vrazhdë përmes Shqipërisë dhe kalon periudhë 1 vjeçare deri të shkojnë mjetet. Duhet me pyet në Shqipëri pse shkon kjo kohë. Me bë thirrje të gjithat ministritë me realizua një projekt. Me i heq procedurat se shkojnë mjetet dhe tekstet”, tha ajo.
Deputeti Arban Abrashi tha se duhet të investohet edhe në fushën e kulturës.
“Memorandumi i Ministrisë së Kulturës nuk shoh ndonjë arsye që me u ndalua. Është mirë me ftua Ministrin sa ma shpejt, fondet nuk është problem me i sigurua. E dyta që me kerkua ministrin e Punëve të Brendshme që atyre qytetarëve të Luginës që jetojnë në Kosovë çfarë pengesa përballen për jetën e tyre”, tha ai.
Valon Ramadani nga VV-ja tha se nuk duhet kërkuar formë se si të ndihmohet kjo pjesë, por duhet vendime përmes seancës së jashtëzakonshme.
“Nuk duhet me zgjedh formën, duhet me i përdor krejt format me dërgua letra me thirr ministrin. Sot duhet me shkua me iniciativë për seancë të jashtëzakonshme, nënshkrimet të thirrin seancë me letra, me ato dëgjime e me ministra, nuk kemi nevojë me humb kohë”, tha ai.
Edhe Driton Qaushi nga PSD-ja kërkoi që të thirret seqancë e jashtëzakonshme.
“Propozimi im të ftohet seanca në rast se ka mungesa të ministrave dhe mandej hapat tjerë për të ftuar ministrat në komisionet përgjegjëse“, tha Çaushi.
Rasim Selmani nga AAK-ja tha se e mbështesin këtë seancë, por kërkoi që të mos shfrytëzohet politikisht.
“Ideja për seancë të jashtëzakonshme është e mirë dhe e përkrahi sepse është gjendje e jashtëzakonshme. Kjo seancë të mos shfrytëzohet për poen politik, ne si Kosovë kemi dialogu gabim, Kosova nuk guxon me bë dialog me Serbinë pa reciprocitet. Ideja e fondit për Luginën, është me rëndësi për Kosovën”
Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, tha se gjatë seancës së jashtëzakonshme duhet të dilet me një vendim të qartë karshi kërkesave të banorëve të Luginës së Preshevës.
“Vetëm na nuk jemi financues të komunitetit atje, shtetet që kanë komunitete i financojnë, na jemi për me pas një fond për me i ndihmua. Kërkesa tjetër është transferi i mjeteve përmes Shqipërisë, tjetër kërkesë me qenë pjesëmarrës në dialog, na mundemi me transmetua këtë kërkesë por është kërkesë politike, si dhe ne të jemi ma shumë prezent të ta kërkojmë ditën për seancë të jashtë zakonshme apo të rregullt. Kërkoj me qenë vendim në këtë seancë për masat që i vendosim na“, tha Hasani.
Pas diskutimeve u vendos që të hënën të thirret seancë të jashtëzakonshme dhe të ftohen të gjithë ministrat dhe kryeministri.