Të hënën vendoset – stafi shëndetësor me protesta kundër vendimit për shtesat prej 60 €

Prishtinë | 27 Gus 2021 | 12:56 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ofrimin e shtesës në vlerë mujore prej 60 euro për stafin shëndetësor, po konsiderohet i padinjitetshëm dhe fyes.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Sindikatës së Infermierëve, Sami Bejtullahu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se ky vendim i Qeverisë ka inidijuar shumë stafin shëndetësor.

Lidhur më këtë çështje, Bejtullahu ka njoftuar se të hënën do të mbahet takim koordinues për marrjen e një vendimi reagues, pasi që sipas tij shtesa prej 60 euro është më shumë lëmoshë.

“Vendimi i Qeverisë është një vendim fyerje për dinjitetin e infermierëve dhe stafit shëndetësor në gjithë Kosovë. Shtesa prej 60 euro nuk është shtresë, duket më shumë si një mëditje e thjeshtë për një punëtor të thjeshtë. Ky vendim ka indijuar shumë stafin shëndetësor dhe infermierët sepse nuk e kanë pritur nga kjo Qeveri që do të ndodhë kështu”, është shprehur ai.

“Ne më datë 30 e kemi lënë një takim me Odën e Mjekëve, Infermierëve, FSShK-në dhe të gjitha shoqatat tjera të infermierëve që të koordinohemi rreth këtij vendimi të Qeverisë dhe të bëjmë reagimin tonë lidhur me masat që do të ndërmerren ditëve në vazhdim”.

“Në ditën e hënë do të bëhet koordinimi me të gjitha këto institucione dhe do të jetë edhe reagimi ynë lidhur me vendimin për shtesat prej 60 euro. Shtesa 60 euro është më shumë lëmosh se një shtesë e dinjitetshme, edhe 150 euro ka qenë pak por duke e ditur gjendjen në Kosovë ne e kemi pranuar atë”.

Bejtullahu ka vlerësuar se ata fuqishëm do të kundërshtojnë këtë vendim, madje ai ka dhënë sinjale se mund të ketë protesta deri në reagim të Qeverisë.

“Ne duhet të jemi sa më afër pacientëve, në shërbim të tyre sepse pacientët dhe popullsia e Kosovës nuk meriton që infermierët, doktorët dhe gjithë stafi përcjellës të pezullojnë punën dhe ata mos të marrin shërbimet shëndetësore që atyre u takojnë, por ne do të marrim vendimin për ndonjë protestë, pa ndonjë hap më të lehtë në ditët e para”.

“Pastaj do ta shohim reagimin e Qeverisë se çka tutje. Por ne do ta kundërshtojmë fuqishëm vendimin për shtesa 60 euro”, ka përfunduar ai për EO.

Qeveria mori vendim të ndajë 2.7 milionë euro si mbështetje e stafit mjekësor në sektorin publik me pagë shtesë prej 10% të pagës së rregullt bruto, jo më pak se 60 euro, për muajt gusht, shtator dhe tetor.

Të ngjashme