Qeveria e Kosovës ka miratuar Raportin e pasqyrave preliminare financiare për ekzekutimin e buxhetit gjatë vitit 2017. Ky raport procedohet në Kuvendin e Kosovës për informim.
Sipas Raportit, të hyrat në Buxhet gjatë vitit 2017 kanë qenë në total 1 miliard e 920 milionë euro, dhe janë për tetë për qind më të larta se viti paraprak. Shpenzimet kapin shumën 1 miliard e 835 milionë euro dhe janë më të larta për katër për qind se në vitin paraprak.
Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme janë aprovuar ndryshimet e tabelave të bashkëngjitura në Ligjin për Buxhetin e vitit 2018. Ndryshimet janë në funksion të përmbushjes së obligimeve të pakryera financiare nga viti paraprak për projektet kapitale shumëvjeçare. Ky vendim procedohet edhe në Kuvendin e Kosovës.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, janë miratuar dhe dy nisma të Ministrisë së Financave për arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare të granteve me Bakën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) dhe me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW).
Marrëveshja me BERZh-in është për financimin e ndërtimit të rrugëve rajonale ndërsa ajo me KfW për financimin e projektit për mënjanimin e ujërave të zeza në Kosovën Jugperëndimore (komunat Prizren, Gjakovë dhe Pejë)– Faza e V.
Qeveria, po ashtu, ka emëruar në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ekrem Kastrati.