Të krishterët festojnë Pashkët

Prishtinë | 16 Pri 2017 | 08:46 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sot vazhdon shënimi festës së Pashkëve nga besimtarët e krishterë.

Gjatë tërë ditës në Kosovë do të ketë mesha kushtuar Pashkëve, ndërsa në mbrëmje do të ketë pritje solemne në Rezidencën e Ipeshkvisë, pranë Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, e cila organizohet nga Ipeshkvi i Kosovës, SH. T. Imzot Dodë Gjergji.

Ndërsa mbrëmë në Katedralen Katolike “Nënë Tereza” në Prishinë, u shënua Mesha solemne e Pashkëve, në prag të festës më të madhe të krishterëve-Pashkët, udhëhequr nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Para nisjes së Meshës solemne, ceremonisë kryesore në Kosovë, ku të pranishëm ishin shumë besimtarë të krishterë, në fronin e katedrales është djegur zjarri tradicional dhe pastaj janë ndezur edhe qirinjtë brenda katedrales.

Në fjalimin e tij të Pashkëve, Imzot Gjergji vuri në dukje se festa e Pashkëve është “momenti më i mirë për të hapur zemrat tona drejtë njëri-tjetrit, sepse kjo është festa e paqes dhe pajtimit, ku mëshira dhe dashuria ngadhnjejnë mbi çdo të keqe dhe ku vdekja mori përgjigjen e fundit nga i Ringjalluri”.

Ai tha se sa herë që Kisha kremton Pashkët dëshiron të konfirmojë se e mbanë në gjirin e saj paqen e Krishtit, dhe i fton të gjithë njerëzit që të bëhen bijtë dhe bijat e paqes.

Duke theksuar se njerëzit jetojnë në ankthin e luftërave, Gjergji tha se disa për shkak se i përjetojnë e janë pjesë e tyre, e disa nga frika që ajo do të fillojë e do të bëhen pjesë e saj. Ai po ashtu vuri në dukje se akoma pa u shuar krejtësisht ankthi dhe trishtimi i luftës së fundit, “çdo ditë e më shumë po rritet rreziku nga terrorizmi”.

Gjergji po ashtu nënvizoi se ”të gjithë jemi të thirrur që të punojmë për paqe mes njerëzve dhe të mos pushojmë kurrë duke mësuar nga dëshmia e Krishtit të Kryqëzuar dhe të Ringjallur”.

Ai më tej tha se nuk duhet të pushojë asnjëri prej nesh për të promovuar tolerancën ndërfetare dhe ndërvëllazërore, sepse sipas tij, vetëm kjo do të jetë shpëtimi ynë.

“Edhe bashkësia fetare shumicë, nuk duhet të heshtë e as ‘të struket në pafajësinë e vet’, por duhet të tregojë më shumë kreativitet dhe guxim për të shëruar këtë plagë të trupit saj”, tha Imzot Gjergji.

Dita e Pashkëve është të dielën, kur në mesditë do të ketë mesha në të gjitha kishat katolike, ndërsa veç aktiviteteve të shumta, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, do të kremtojë meshën e Ditës së Pashkëve në Katedralen “Zoja Ndihmëtare” në Prizren.

 

Të ngjashme