Kosova është përfshirë në shortin e kualifikimeve për “Euro 2020” nga vazoja e pestë, ndërkohë që Mali i Zi ishte në vazon e katërt.
Por te Përfaqësuesja e Malit të Zi vlerësojnë se Kosova me cilësinë që ka nuk e meriton të jetë në vazon e pestë, por të paktën në një vazo më lart, shkruan sot Koha Ditore.
Kështu te Mali i Zi edhe një herë kanë shprehur respektin që kanë për Kosovën, dy ditë para ndeshjes Mali i Zi – Kosova, që luhet të premten (20:45) në stadiumin e qytetit në Podgoricë. Është ndeshje kualifikuese për evropianin e vitit tjetër.
Në letër Kosova është përfaqësuesja e fundit në grup, por “dardanët” po e synojnë kualifikimin në Evropian dhe te Mali i Zi e pranojnë që do ta kenë vështirë të premten mbrëma në stadiumin pa shikues.
“Ata për nga forca dhe ajo që kemi parë, i takojnë së paku vazos së katërt. Do të jetë vështirë, por nëse ne jemi të vërtetët, si kemi qenë shumë herë, mund të imponohemi dhe të fitojmë”, ka thënë sulmuesi i Malit të Zi, Aleksandar Boljeviq. 23-vjeçari bën karrierë në Belgjikë, te Bevereni.
Kosova ka një pikë nga ndeshja me Bullgarinë, derisa Mali i Zi ka një pikë nga dy ndeshje, pas barazimit me Bullgarinë dhe disfatës nga Anglia. Mali i Zi nuk do të ketë përkrahjen e tifozëve në stadium, por do të luajë për ta.