Të martën, edhe shërbyesit civilë futen në grevë

Prishtinë | 26 Jan 2019 | 19:42 | Nga Ekonomia Online

Grevës së Mjekëve e mësimdhënësve do t’i bashkohen edhe rreth 25 mijë shërbyes civilë në nivel qendror.

Ata kanë paralajmëruar të hyjnë në grevë nga dita e martë, me dy kërkesa, e para për harmonizimin e koeficientit të nëpunësve civilë të administratës publike të Kosovës dhe njohjen e stazhit të punës për të përndjekurit nga puna nga regjimi serb gjatë viteve 1990-1991, raporton KTV.

Sipas Kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ndue Kalaj, shërbyesit civilë janë kategoria më e anashkaluar nga të gjitha qeveritë deri më tash.

Por, Kalaj tha se pa dëshirën e tyre janë duke u futur në grevë.

Ai ka theksuar se kërkesat e tyre janë të drejta dhe ligjore, me vetë faktin se me koeficientet e përcaktuara në Shtojcën 1 të projektligjit për pagat, kjo kategori diskriminohet në raport me kategori të tjera buxhetore.

Shërbyesit civilë i kanë bërë thirrje qeverisë dhe komisionit parlamentar që t’i marrë me seriozitet kërkesat e tyre për siç thonë, ta shmangin mundësinë e hyrjes në grevë.

Të ngjashme