Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për një seancë të jashtëzakonshme të martën.
Seanca e thirrur nga opozita parasheh mbajtjen e një debati parlamentar për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mungesë kuorumi ka shtyrë për një ditë tjetër mbledhjen e paraparë që të mbahet sot.
“Megjithatë, në kuadër të kompetencave të tij, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, vendosi që mbledhja e jashtëzakonshme, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së, të mbahet nesër në orën 11:00. Në këtë seancë do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me rritjen e çmimeve. Po ashtu, kreu i Kuvendit Glauk Konjufca, mori vendi edhe për mbajtjen e seancave të papërfunduara. Lidhur me këtë, ai vendosi që të mërkurën, me datë, 16. 03, 2022, nga ora 10:00, Kuvendi të shqyrtojë pikat nga seancat e papërfunduara”, thuhet në komunikatë.
Seanca e jashtëzakonshme është thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.