Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKMRT) ka prezantuar Protokollin për identifikimin, hetimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Drejtoresha e QKMRT, Feride Rushiti, tha se ky dokument do të përdoret për të trajtuar, mbështetur dhe përfaqësuar të drejtat e të mbijetuarve dhe të dëshmitarëve të dhunës seksuale në luftë.
Sipas saj, fokusi i Protokollit është në dokumentimin e krimeve të dhunës seksuale sipas të drejtës ndërkombëtare.
Qëllimi kryesor i Protokollit është të shërbejë si një dokument udhërrëfyes për institucionet që merren me hetimin dhe gjykimin e çështjeve dhe udhërrëfyes për palët në procedurë, në mënyrë që palët të njoftohen më për së afërmi me kompetencat e organeve të caktuara, të përfshira në këtë protokoll.
Protokolli gjithashtu do të shërbejë si një strategji praktike që profesionistët mund t’i përdorin për të zvogëluar dhe adresuar rreziqet e mundshme që lidhen me dokumentimin dhe hetimin e dhunës seksuale në luftë, si dhe për të tejkaluar disa nga pengesat që paraqiten në përpjekjet e llogaridhënies për përmirësimin dhe të kuptuarit se si të mblidhen dhe të dokumentohen informatat për dhunën seksuale, gjithmonë duke pasur parasysh parimin e mos bërjes dëm.