Partia Socialdemokrate (PSD) të mërkurën do të jetë nikoqire e tryezës së katërt të partive politike, në të cilën do të diskutohet për dialogun me Serbinë. Edhe këtë herë sikur në tri tryezat e kaluara nuk pritet të arrihet konsensus i partive politike.
Të mërkurën partitë politike do t’i bashkojë tryeza me temën “Dialogu me Serbinë – Fuqizimi i Republikës parlamentare”, që do të organizohet nga Partia Socialdemokrate.
Pjesëmarrjen në këtë tryezë tashmë e kanë konfirmuar të gjitha partitë, ndonëse jo të gjitha presin që nga kjo tryezë do të dalin me një qëndrim të përbashkët rreth çështjes së dialogut.
PDK-ja e AAK-ja kanë deklaruar për “Zërin” se mund të arrihet konsensus nëse jepen ide konkrete dhe nëse lihen anash interesat partiake.
Në anën tjetër, LDK-ja është shprehur skeptike se partitë do të unifikohen rreth dialogut, pasi sipas tyre në të gjitha tryezat e organizuara deri më tani janë dhënë vetëm propozime pa u arritur ndonjë konkluzion rreth temave që janë diskutuar.
Njëjtë mendojnë edhe njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se duke u bazuar në përvojat e kaluara partitë politike në vend zor se do të arrijnë të pajtohen për ndonjë çështje.
Pozita shpreson në konsensus për dialogun
Tryeza me temën “Dialogu me Serbinë – Fuqizimi i Republikës parlamentare” ishte planifikuar të mbahej sot, por është shtyrë për të mërkurën për shkak se sot bëhet varrimi i Hilmi Haradinajt, babait të kryeministrit Ramush Haradinaj.
Pjesëmarrjen e të gjitha partive politike e ka konfirmuar zëdhënësi i Partisë Socialdemokrate, Shkodran Hoti.
Ndërkohë, partitë në koalicionin qeverisës presin që nga kjo tryezë të dalin me një qëndrim të unifikuar rreth dialogut me Serbinë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka treguar për gazetën “Zëri” se PDK-ja do të jetë pjesë e kësaj tryeze dhe se pret që të ketë diskutim konkret e të arrihet konsensus.
“Ne e kemi konfirmuar pjesëmarrjen tashmë. Presim që të ketë diskutime konkrete, shpresoj edhe propozime të qarta që do të kontribuojnë në arritjen e konsensusit për këtë çështje”, ka thënë Krasniqi.
Kurse deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu në një bisedë për “Zërin” tha se është shumë e rëndësishme që partitë politike të arrijnë të dakordohen për çështjet e mëdha, siç është dialogu me Serbinë.
“Jam e sigurt që kjo do të arrihet nëse partitë politike vendosin interesin e shtetit para interesave partiake”, ka thënë ajo për “Zërin”.
Gaxherri: Në këtë tryezë nuk do të arrihet konsensusi për dialogun
Ndërkaq kështu nuk mendon deputetja nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri.
Ajo ka deklaruar për gazetën se në këtë rund të parë të bisedimeve mes partive politike nuk pret të ketë konsensus.
Sipas saj, tek në rundin e dytë të tryezave do të arrihen konsensuse mes partive. Në të kundërtën, ajo këto tryeza i ka quajtur të kota, ku nuk është arritur asgjë.
“Me përfundimin e një rundi që e kanë marrë secila parti që t’i organizojë këto takime do të ketë një konkluzë dhe tek në rundin e dytë të fillojnë të shqyrtohen, të harmonizohen dhe të dalin me qëndrime. Në të kundërtën kanë qenë tryeza koti, ku s’është arritur asnjë konsensus”, tha Gaxherri.
Gaxherri edhe për temën e së mërkurës e që është “dialogu me Serbinë”, nuk pret konsensus.
Sipas saj, PSD-ja vetëm do t’i japë propozimet e veta për këtë temë. “PSD-ja do të japë mendimin dhe propozimin e vet, por unë nuk mendoj që të hënën do të jetë momenti që do të ndodhë konsensusi”, ka thënë ajo.
Ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka konfirmuar pjesëmarrjen në tryezën e PSD-së.
Por zëdhënësja e LVV-së, Tinka Kurti, ka theksuar se në tryezë LVV-ja do të diskutojë për zgjedhje të reja në vend, pasi sipas saj, nuk mund të vazhdohet me qeveri të pakicës.
“Besojmë që duhet të diskutohet për nevojën për zgjedhje të reja, sepse nuk mund të vazhdohet me qeveri të pakicës dhe jo kjo zhvendosje te dialogu me Serbinë. Asisoj bëhet blerje e kohës për interesa të partive që janë në pushtet”, tha ajo.
Baraliu, skeptik që partitë do të pajtohen për dialogun
Edhe Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike, ka thënë se për çështje të tilla të rëndësishme për vendin duhet të vendosin institucionet.
“Duhet që institucionet e shtetit e jo partitë politike të merren vesh për biseda të tilla dhe çështje të tilla aq të rëndësishme me interes vital për shtetin, siç është dialogu me Serbinë. Sidoqoftë, iniciativa të tilla janë nisur qe disa kohë nga partitë opozitare”, tha ai.
Megjithatë, Baraliu është shprehur skeptik se partitë politike do të arrijnë konsensus për çështjen e dialogut, pasi partitë nuk kanë arritur asnjëherë të merren vesh për asnjë çështje.
“Mirë është nëse do të ketë konsensus lidhur me këtë pikë të diskutimit, por unë dyshoj, sepse përvoja e gjertanishme ka treguar që partitë politike në këto tryeza dhe në përgjithësi në jetën politike dhe parlamentare janë sjellë në mënyrë vetanake me ideologji, me platforma politike dhe me qëndrime të paunifikuara dhe s’kanë arritur asnjëherë të merren vesh për asnjë çështje”, tha ai.