Dy të mitur nga Fushë-Kosova, janë bërë prindër të një vajze, mbrëmë. Nëna 15-vjeçare ka sjellë në jetë një vajzë të shëndoshë në QKU, edhe bashkëshorti i saj është gjeneratë me të. Rasti është duke u hetuar nga ana e prokurorisë së shtetit. E ndërkohë, ky është rasti i dytë në Kosovë brenda këtij viti që dy të mitura sollën në jetë nga një foshnje. Rasti i parë ndodhi në janar të këtij viti kur një e mitur në Gjilan ka lindur
U takuan në njërën nga lagjet e qytetit të Fushë Kosovës. Por, vajza me inicialet S.A., tashmë 15 vjeçe donte të martohej me bashkëmoshatarin e saj L.H., nga po i njëjti qytet. 15-vjeçarja para një viti i shkoi në shtëpi atij duke kërkuar që ta merrte për nuse. Dhe kështu ndodhi.
Të dy këta, të së njëjtës moshë, të komunitetit RAE, u martuan me njëri-tjetrin derisa ishin në moshën 14 vjeçare. Këta u bën prindër dje të një vajze.
Rreth kësaj çështjeje, Gazeta Express, sot ka qëndruar në Fushë Kosovë, tek familja e djalit. Ata thonë se martesa e 15-vjeçarit me bashkëmoshataren e tij u bë me vetë dëshirën e të dyve.
“Vetë janë taku, vetë janë dashtë edhe janë marrë. Me zor nuk janë martu. Djali, vajzën e ka pru në shpi. Ne i dimë që vajza është e mitur. 15 vjet i ka. Ne endemi me miq tash. Ata janë këtu disa lagje më poshtë se ne, edhe e kalojmë mirë”, tregojnë nga familja e djalit.
Ata thonë se vajza iku nga shtëpia e saj për të shkuar në shtëpinë e djalit që e donte.
“Vajza vet ka ardhë këtu në shpi tek ne, pastaj e kemi thirrë prindin e saj edhe i kemi thanë që vajza po e do djalin. Djali e çika janë njoftu këtu në lagje”, rrëfejnë tutje nga familja e djalit
E vajza që u bë nënë në moshë të mitur vazhdoj të qëndrojë në QKUK bashkë me foshnjën e saj. Të dyja këto janë në gjendje të mirë shëndetësore. Kështu ka thënë për Express, drejtori i Klinikes së Neonatologjisë së QKUK, Xhevdet Gojnovci.
“Foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore. Ka lindur në peshën e 2.400. Ajo është afër nënës”, ka deklaruar Gojnovci.
Me rastin tashmë është duke u marrë edhe Policia e Kosovës. Këta të fundit hetimet i kanë nisur që nga dita e djeshme. Ndërkohë për rastin ende nuk ka asnjë person të ndalur.
“Fushë Kosovë 26.02.2019-13:00. Nga QKUK – Reparti i Gjinekologjisë është raportuar se një paciente femër K/Ashkali e moshës së mitur, është pranuar në këtë repart, e cila pritet të lind fëmijë. Në lidhje me rastin është identifikuar dhe intervistuar i dyshuari mashkull K/Ashkali ( i mitur) i cili ka bashkëjetuar me viktimën. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në deklaratën e policvisë së Kosovës.
E ndërkohë, ky nuk është rasti i parë kur një i mitur lindë fëmijë në Kosovë. Para tre muajve një vajzë 14-vjeçe nga Gjilani është bërë nënë.
Ndërkaq, ligji për familjen thotë se asnjë person nën moshën 18 vjeçare nuk mund të lidhë martesë me një tjetër. Aty theksohet se vetëm për shkaqe të arsyeshme dhe sipas kërkesës, gjykata mund të lejojë martesën, por, kjo vetëm për personat më të vjetër se 16 vjet.
Kjo nëse konstatohet se personi i tillë ka arritur pjekurinë e nevojshme fizike dhe psikike për të ushtruar të drejtat e veta martesore dhe për të përmbushur detyrimet martesore.
Gjykata para se të marrë vendimin do të kërkojë mendimin e Organit të Kujdestarisë, do ta dëgjojë të miturin dhe prindërit përkatësisht kujdestarin e tij. Gjykata gjithashtu do të dëgjojë personin me të cilin i mituri ka për qëllim të lidhë martesë, mendimin e institucionit përkatës shëndetësor dhe do t’i hetojë rrethanat e tjera të rëndësishme për vendimin./GazetaExpress/