Avokati Tomë Gashi, përfaqësuesi juridik i familjes Fejzullahu, ka thënë se do të kërkojë dënim maksimal për dy të miturit që vranë 18 vjeçarin në Podujevë, Lulzimin, pas rigjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Edhe në rigjykim në rastin e kësaj vrasje, Gjykata të miturin e parë e ka dënuar me 10 vjet burgim kurse të miturin e dytë, me 9 vjet.
Gashi ka thënë se me këtë aktgjykim, është vërtetuar sërish se dy të miturit kanë vrarë 18 vjeçarin në Podujevë, ndërsa s’ka pasur ndryshime në gjendjen faktike.
“Të cilët kanë qenë të involvuar në vrasjen e Lulzim Fejzullahut, të njëjtat kanë shpallur përgjegjës dhe ka vendosur sikurse në herën e kaluar në maj të këtij viti duke shqiptuar dënim për të miturit njërit në kohëzgjatje prej 10 vitesh dhe tjetrit në kohëzgjatje prej nëntë vitesh. Me këtë vendim të Gjykatës i cili është një vendim i përsëritur për shkak se Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim dhe në rivendosje, vërtetohet se rasti është kthyer në rigjykim për çështje teknike krejtësisht formale dhe jo cka ka ndryshuar gjendja faktike”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, në çdo mënyra të provave vërtetohet vrasja e 18 vjeçarit.
“Gjykata i ka shpallur fajtor për vrasjen e rëndë dhe jo sipas pretendimeve të tyre kinse diçka ka qenë incident momental gjë që është vërtetuar edhe me video ingjizime dhe me prova të tjera që gjithçka i ka paraprijë një sulmi të mëhershëm dhe Gjykata në prizmin tim ka vendosur drejtë. Me këtë Aktgjykim është vërtetuar edhe njëherë se ata që vranë Lulin kanë vepruar në bashkëveprim njëri me tjetrin dhe se vrasjen e rënde e kanë kryer me dashje të plotë. Si avokat – përfaqësues juridik i familjes se Lulit do të paraqes ankesë që dënimi për të dytë të jetë maksimal”, shtoi ai.
Edhe në rigjykim janë konfirmuar dënimet e gjykimit të parë ndaj dy të miturve që e shkaktuan vrasjen e 18-vjeçarit. E.K. është dënuar me 10 vjet burgim, kurse i mituri i dytë A.A. me 9 vjet burgim.