Personat më të moshuar, të cilët janë shëruar nga Covid-19, nuk mund të llogarisin se janë imun nga një sulm i dytë i kësaj sëmundjeje, sipas një studimi të ri, në të cilin thuhet se ata që janë më të rinj se 65-vjeç janë shumë më pak të rrezikuar nga infektimi i dytë.
Sipas studimit të kryer në Danimarkë, personat nën moshën 65-vjeçare kanë rreth 80 për qind mbrojtje nga sëmundja për së paku gjashtë muaj. Megjithatë, personat që janë më të vjetër se 65 vjeç kanë vetëm 47 për qind mbrojtje.
Autorët e studimit të publikuar në revistën mjekësore, “Lancet”, thanë se kjo nënkupton që është jetike që të merren masa për t’i mbrojtur personat e moshuar, të cilët gjithashtu janë më të rrezikuar nga vdekja prej Covid-19, shkruan The Guardian.
“Studimi ynë e vërteton atë që disa studime tjera duket se e kanë sugjeruar: riinfektimi është i rrallë te personat më të rinj dhe të shëndoshë, por të moshuarit janë në rrezik më të madh për t’u prekur përsëri”, tha Dr. Steen Ethelberg nga Instituti “Statens Serum” në Danimarkë.
“Pasi personat e moshuar kanë gjithashtu më shumë gjasa që të përjetojnë simptoma të rënda të sëmundjes dhe fatkeqësisht të vdesin, gjetjet tona bëjnë të qartë sa është e rëndësishme që të zbatohen politikat për mbrojtjen e të moshuarve gjatë pandemisë”, shtoi ai.
Ndryshe, Danimarka ka një program të gjithëpërfshirës të testimit. Testet PCR janë të qasshme për të gjithë ata që dëshirojnë ta bëjnë testin, edhe nëse nuk kanë simptoma.