Mbi 200 të moshuar e persona me sëmundje kronike do të vaksinohen në ditët në vazhdim në Pejë, për t’i dhënë fund sasisë që kishin në dispozicion.
Por në mesin e tyre nuk është Xhevahire Mustafa, 76-vjeçja që jeton e vetme, nuk ka mundur të paraqitej për regjistrim.
“Nuk po mund eci, këta ishte dashtë neve pleqve kur s’mundet, me ju shkua nëpër shtëpia, por nuk ta qel kush derën. Na që jem veç vetëm, s’ta çel bre kurrkush derën”, thotë Mustafa.
Për raste si ky i Xhevahires, përkujdeset Kryqi i Kuq në Pejë, e të cilët pritet që të futen në rend për vaksinim me të mbërritur kontingjenti i radhës.
E gjatë së mërkurës janë regjistruar mbi 40 të moshuar për vaksina, duke e çuar numrin në mbi 1200.
Ata që e kanë marrë atë, tregojnë arsyet pse vendosën ta bëjnë, e të tjerë, mezi po presin që të vaksinohen.
“Masi e merr populli edhe une du me marr. Një popull që e merr një shumicë, është marre edhe mu da prej atyhit, edhe me kanë keq”, tha 81-vjeçari nga Lugu i Baranit.
“Sa ma shpejt ishte deshtë bile se na pleqt kujtojmë edhe ndonjë ditë më mujt po, me kan që është e mujtune sa më shpejtë edhe na të vaksinohemi”, tha Lulaj 69-vjeçar.
Shefi i Qendrës së Vaksinimit në Pejë, Dugagjin Sahatqiu, shpreh keqardhje që dozat e vaksinave që ju kanë mbetur janë në përfundim dhe me ato u duhet t’i vaksinojnë personat e mbetur mbi 75 vjeç që janë paraqitur.
“Diku mbi 200 janë mbi 75 vjeç, që do të kryhen gjatë ditës së sotme, e nesër dhe pasnesër. E moshat tjera kur të vijnë dozat tjera gjatë muajit maj”, shtoi Sahatqiu.
Prej 2 prillit kur ka nisur vaksinimi në Pejë e deri të mërkurën janë vaksinuar rreth 1 mijë e 300 veta, prej të cilëve 600 punëtorë shëndetësorë dhe të tjerët kryesisht persona të moshuar, por ka edhe persona me nevoja të veçanta dhe persona me sëmundje kronike.