Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, i ka dhënë mbështetje protestës së 13 dhjetorit kundër Gjykatës Speciale, që do të mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Nga kjo parti, i kanë bërë thirrje të gjitha strukturave e mbështetësve të tyre që të mobilizohen e të marrin pjesë masivisht në protestë.
“Aleanca për Shqiptarët mbështet protestën në mbrojtje të luftës së pastër për çlirimin e Kosovës dhe drejtuesve të UÇK-së, të cilët padrejtësisht mbahen në burg”, thuhet në reagimin e ASH-së.
“Ju bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve, simpatizantëve dhe të gjithë shqiptarëve, pa dallime partiake, që me pjesëmarrje masovike më 13 Dhjetor në Sheshin ‘Skenderbeu’ në Shkup të ngrejmë zërin për drejtësi dhe për lirinë e drejtuesve dhe udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Nga partia e Selës kanë potencuar se çdo njollë dhe akuzë ndaj krerëve të UÇK-së “është tentim për të njollosur luftën më të pastër dhe më të drejtë që mban mend historia e luftërave të kombeve për liri”.
“Kjo duhet të jetë kauzë e çdo shqiptari, e çdo individi që e ndjen dhe e don lirinë dhe Kombin Shqiptar. Kjo nuk është një betejë individuale e as politike, por një betejë kombëtare që na tangon të gjithë neve dhe jo vetëm ata që padrejtësisht sot mbahen në burg”.
Andaj, ASH-ja konsideron se “është obligim moral i secilit prej nesh të ngrejmë zërin për dinjitetin e një pjesë të lavdishme të historisë sonë”.
Ndryshe, autoritetet e Maqedonisë së Veriut ende nuk kanë dhënë leje për mbajtjen e protestës kundër Gjykatës Speciale në Shkup.
Burime të VOX Kosova thonë se arsyeja kryesore e mosdhënies së lejes lidhet me frikën politike të qeverisë maqedonase, e drejtuar nga VMRO-DPMNE. Kjo parti, me një diskurs të theksuar nacionalist, druhet se miratimi i një proteste pro-UÇK-së mund ta “dëmtojë imazhin” dhe “mbështetjen” e saj te votuesit maqedonas.
Kundërshtimi më i ashpër për protestën ka ardhur nga kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski. Ai e quajti protestën “lëvizje të gabuar” të Kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe tha se pret që as koalicioni shqiptar VLEN — partnerët e tij në qeveri — nuk do ta mbështesin protestën, të cilët iu bindën më pas këtij udhëzimi.
“Ata vetëm po e vërtetojnë se do ta kenë shumë të vështirë që në të ardhmen të gjejnë partner të koalicionit. Unë nuk e mbështes këtë ide dhe jam i bindur se as VLEN nuk do ta mbështes”, tha Mickoski.
Pak orë pas deklaratës së tij, Ali Ahmeti e njoftoi zyrtarisht protestën përmes Facebook-ut, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive.
“Ashtu siç qëndruam përkrah luftëtarëve të UÇK-së në Prishtinë dhe Tiranë, ashtu do të qëndrojmë edhe në Shkup, krenarë, të vendosur dhe të palëkundur në mbrojtje të së vërtetës sonë. Më 13 dhjetor, në orën 13:00, të gjithë në Shkup!”, shkroi Ahmeti.