Të paralizuarit ecin falë elektrodës mes rruazave të shpinës

Prishtinë | 29 Sht 2018 | 08:12 | Nga

Tre pacientë të paralizuar nga beli poshtë ia kanë dalë të ecin përsëri pasi që ekspertët në mes të rruazave u kishin vendosur elektroda.

Një mashkull, i cili është një nga tre pacientët me fat, arriti ta kalonte gjithë gjatësinë e fushës së futbollit pas një viti ushtrimesh me ndihmën e stimulimit elektrik.

Ekspertët pohojnë se pajisja e vendosur nën lëndim e ndihmon pacientin ashtu që sinjalet e humbura nga truri të arrijnë deri tek muskujt në këmbë.

Ekipi amerikan i ekspertëve nga Universiteti Louisville dhe Klinika Mayo e përshkroi suksesin e tyre të pabesueshëm në revistat Nature Medicine dhe New England Journal of Medicine, përcjell sot Koha Ditore.

Një nga pacientet tha se jeta i ishte ndryshuar plotësisht falë tek – no lo gjisë. “Pjesëmarrja në këtë studim e ka ndryshuar me të vërtetë jetën time, sepse më dha shpresën për të cilën nuk mendoja se ishte e mundur pas një aksidenti trafiku”, tha Kelly Thomas (23) në media.

“Ditën e parë që i bëra hapat e pavarur ishte një pikë kthese emocionale në rikuperimin tim që nuk do ta harroj kurrë, sepse në një moment kam ecur me ndihmën e asistentit, ndërsa në momentin tjetër kam vazhduar vetë”.

Zbulimi i lartpërmendur e ndihmoi edhe Jeff Marquisin (35 vjeç) i cili u lëndua gjatë çiklizmit, ashtu si edhe Jered Chinnockun (29), i cili arriti të mbijetojë nga fatkeqësia e shkaktuar nga saja motorike.

Siç e përshkruajnë vetë ekspertët, i ashtuquajturi electropatch nuk e riparon dëmin, por me sukses i stimulon nervat në boshtin kurrizor – sinjalet e trurit kështu arrijnë në muskujt e shënjestruar dhe pacienti mund t’i kontrollojë vullnetarisht lëvizjet e tij.

Megjithatë, kur stimulimi çaktivizohet, përfundon lëvizja e vetëdijshme.

“Kjo u jep shpresë të madhe njerëzve që përballen me paralizë, por ende jemi në fazën shumë të hershme të hulumtimit”, përfundoi Kendall Lee, neurokirurg nga Klinika Mayo në Rochester të Minnesotas.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme