Më shumë se një vit nga koha kur është ngritur aktakuza dhe rreth 3 muaj pasi ishte paraqitur për herë të parë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, gjykimit të ish- imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqit, po i shihet fundi.
E premtja e 23 marsit do të shënojë fundin e gjykimit në të cilin ish-imami po përballet me tri pika të akuzës, shtytje për terrorizëm, nxitje të urrejtjes dhe shmangie nga tatimi.
Datën e shpalljes së aktgjykimit e ka caktuar trupi gjykues në seancën e sotme pasi që e shpalli të mbyllur procedurën pasi që prokurori i rastit, i akuzuari dhe mbrojtësi i tij dhanë mbrojtjet e tyre.
Në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar dy dëshmitarë, janë konsideruar si të lexuara deklaratat e dy dëshmitareve tjera ndërsa ndër të tjera janë administruar si prova edhe tri përgjigje të Bashkësisë Islame të Kosovës si dhe dy ligjërata të Krasniqit.
Sipas aktakuzës, Shefqet Krasniqi akuzohet për tri vepra penale.
Në aktakuzë pretendohet se shtytjen në kryerjen e veprave terroriste Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014, ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun. Përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste.
Po ashtu, sipas aktakuzës i pandehuri i lartcekur si tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë të dhëna të pasakta, si dhe nuk i deklaruar të dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur obligimeve tatimore në vlerë të përgjithshme prej 20,208.57 euro.