Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë ka zhvilluar aktivitetin simbolik “Kafe n’kolonë” lidhur me trafikun e dendur në Prishtinë . Aksioni u mbajt tek rrethi kryesor i Prishtinës, pranë shkollës së mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”, raporton Ekonomia Online.
Pjesëmarrësve në trafik u është ofruar kafe dhe çaj i nxehtë, në shenjë proteste ndaj komunës së Prishtinës për moszgjidhjen e problemit të trafikut tash e sa vjet.
Kryetari i rinisë së PDK-së dega në Prishtinë, Vivianit Fejza tha se Prishtina është duke pësuar kolaps në trafik të dendur.
“Ne sot si rini e Prishtinës e kemi ndërmarrë një aktivitet të cilën e kemi quajtur me emrin “Kafe n’kolonë” sepse jemi duke u lodh çdo dit nga kolonat e shumta dhe Prishtina është duke u kolapsu në këtë komunikacion, ka probleme ne po vuajmë që disa orë shkojnë në trafik”, tha Fejza.
Ai tha se kryetari i Prishtinë, Shpend Ahmeti nuk po merret me kryeqytetin derisa ka përmendur përfshirjen e tij në dialog me Serbinë.
“Kemi vendos ku njerëzit do kishin pirë kafe, por nuk munden për shkak të kolonës, ne deshëm që në trafik me iu servu kafe, çaj vozitësve, Shpendi po merret me politika madhore po shkon në Bruksel e kryeqytetin e ka harru dhe nuk po bën asgjë hiq”, tha ai.
Fejza ka përmendur mungesën e parkingjeve dhe trotuareve.
“Ne do vazhdojmë dhe propozojmë ide për tramvaj apo metro, por ne jemi të hapur të punojmë. Kryetari me shku në Bruksel me u marr me punë të shtetit e qendrore kur i le anash punët lokale që janë në kolaps që është për gjynah “, tha Fejza.