Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) lansoi sot Analizën e Pulsit Publik mbi çështjet e rinisë, financuar nga USAID në Kosovë, që analizon perceptimet, qëndrimet dhe pritjet e të rinjve në Kosovë lidhur me kënaqshmërinë e tyre me situatën e përgjithshme në Kosovë, migrimin, arsimin, punësimin, marrëdhëniet ndëretnike dhe perspektivat për të ardhmen. Anketa është zhvilluar në janar të vitit 2018 me
452 respondentë kosovarë të moshës prej 14 deri 35 vjeç.
Rezultatet tregojnë se pjesa më e madhe e respondentëve janë pesimistë lidhur me të ardhmen e Kosovës, përderisa shumica prej tyre konsiderojnë se mungesa e rasteve për punësim, varfëria, nepotizmi dhe korrupsioni janë sfidat kryesore të perspektivës së tyre në Kosovë. Ky studim gjithashtu mori parasysh mendimet e shtatë fokus grupeve me 82 respondentë nga Prizreni, Gjilani, Mitrovica, Graçanica, Mitrovica e veriut, Peja, dhe Prishtina. Të dhënat u analizuan duke përdorur Paketën Statistikore për Shkencat Shoqërore (SPSS) dhe analizën tematike për përmbajtjen e grupeve të fokusit. Diskutimet në grupet e fokusit ofruan një shpjegim më të hollësishëm të perceptimeve të të rinjve lidhur me perspektivën e Kosovës në katër fusha kryesore: gjendja socio-ekonomike dhe politike, feja dhe siguria ndëretnike, arsimi dhe pritshmëria për të ardhmen.
Të pranishëm në lansim ishin zëvendës-përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo dhe Drejtori i Zyrës së Programit Paul Vaca të USAID në Kosovë.
Roccasalvo theksoi që vërehet se vullneti për të ikur nga Kosova është mjaft i lartë pasi që shumë njerëz kanë raportuar të jenë të papunë. “Kjo tregon gjithashtu se njerëzit duan të punojnë, duan të punojnë për një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre”. Roccasalvo shtoi se nuk ka shoqëri që mund të përparojë pa brezin e ardhshëm “kështu që, trajtimi i çështjeve që gjenerata e re i percepton si të rëndësishme është sigurimi për një Kosovë të suksesshme në të ardhmen”.
Paul Vaca tha se të gjithë kemi dëgjuar se Kosova ka popullsinë më të re në Evropë dhe kjo shihet si një mundësi për përshpejtimin e rritjes ekonomike: “Analiza e Pulsit Publik për të rinjtë është një barometër i pikëpamjeve të të rinjve. Këto pikëpamje gjithashtu fuqimisht kërkojnë që institucionet të ofrojnë arsim më të mirë, të krijojnë më shumë vende pune, të zvogëlojnë varfërinë dhe të luftojnë nepotizmin dhe korrupsionin “.
Projekti Pulsi Publik, si dhe posaçërisht ky studim, janë mundësuar nga populli amerikan përmes USAID-it.