Pasionin e tij për leximin shtatëmbëdhjetëvjeçari Rilind Ramadani nga Gjilani dëshironte që ta përcillte edhe tek shoqet e shokët e tij. Përpiqej të gjente alternativa se si t’i motivonte edhe bashkëmoshatarët që të lexonin libra jashtëshkollorë.
Para disa muajsh ua prezantoi një ide rrethit të tij të ngushtë të miqve. U kërkoi t’i hynin së bashku një gare jo të zakonshme që në fund të çdo muaji do t’u shpërblehej me para, shkruan sot Koha Ditore.
Ideja e Rilindit ishte mirëpritur. Shoqëria e tij e ngushtë kishin pranuar t’i hynin garës. Marrëveshja parashihte që secili që e përfundon së lexuari një libër të hedhë një shumë parash, varësisht prej mundësive që ka, në një fond të përbashkët. Grupi është përkujdesur të hartojë edhe planin për kriteret e vlerësimit. Sipas planit, sa më voluminoz të jetë libri, lexuesi merr më shumë pikë.
“Si motiv për të lexuar më shumë libra vendosëm ta organizojmë një lojë me disa shpërblime. Kushdo që fiton i merr ato fonde dhe mund t’i blejë librat që çdo herë ka dashur t’i lexojë. Kjo garë është brenda një grupi të ngushtë të shokëve e shoqeve tona”, tregon ai.
Katër prej anëtarëve të grupit që janë në garën e leximit janë nxënës të gjimnazit të shkencave natyrore “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, derisa një anëtare tjetër është nxënëse e Gjimnazit të Shkencave Shoqërore. Ky grup i maturantëve gjilanas librat i lexon në shtëpi, pasi thonë se, nuk kanë ndonjë vend tjetër të përshtatshëm ku do të mundë të lexonin së bashku.