Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) ka lansuar një fushatë globale “Të rinjtë flasin për qeverisjen”, për të mbrojtur aspiratat politike të të rinjve, duke i ndihmuar që të dëgjohet zëri i tyre, raporton Ekonomia Online.
Nancy Soderberg, drejtoreshë e NDI, tha se partitë politike duhet t’u krijojnë më shumë hapësirë të rinjve, ngase siç thotë ajo, ata janë fuqia e ndryshimit.
“Partitë duhet të krijojnë hapësirë për të mbështetur rininë. Të rinjtë kanë fuqinë për ta ndryshuar vendin. Ju jeni zëri i ndryshimit”.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku tha se fokus mbetet mbështetja e të rinjve, për këtë edhe kanë themeluar Këshillin shtetëror.
“Pothuajse të gjitha ministritë duhet me pas emërtimin e tyre. Detyrimi ynë është për të zhvilluar rininë duke i fuqizuar të rinjtë në sport e kulturë. Besoj që kemi nevojë për politikë kombëtare për zhvillimin e rinisë”.
“Ne kemi themeluar Këshillin shtetëror për rini. Një plotësim ndryshim për ligjin aktual të rinisë dhe strategji kombëtare për zhvillimin e rinisë. Është mundësi me na ndihmuar që bashkërisht me hartuar politikën nacionale për zhvillimin e rinisë në Kosovë”.
Deputeti i VV-së, Agon Batusha, tha se në vazhdimësi ka munguar bashkëpunimi ndërmjet institucioneve e shoqërisë civile sa i përket politikave për të rinjtë.
“Ligjet që miratohen në Kuvend i afektojnë të rinjtë. Solidariteti ndërmjet gjeneratave është gjithmonë. Ka munguar një bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile”.
Deputetja e PDK-së, Gabimete Musliu porositi të rinjtë që mos të kërkojnë hapësirë, por të punojnë shumë në mënyrë që ta meritojnë atë që duan të arrijnë, raporton EO
“Ka 20 vjet që jam kyç në Rininë Demokratike dhe kam punuar shumë. Ndihma mirë dhe krenare sepse aktiviteti i rinisë ka qenë PDK me sjellë në pushtet”.
“Me pjesëmarrjen aktive në politikë ka nevojë solidaritet të të rinjve ndaj gjeneratës së vjetër. Ajo çka dëgjoj nga të rinjtë është se kërkojnë hapësirë. Mos kërkoni vend, por punoni për të ardhur në vendin ku doni”.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa tha se e ka pasur përkrahjen e partisë në çdo aspekt, raporton EO. Sipas tij, duhet të ketë bashkëpunim ndërmjet të gjeneratave.
“Sa i përket përvojës time kam pasur përkrahjen e partisë. Të kemi solidaritet ndërmjet gjeneratave. Sepse kemi dëgjuar shumë shprehje negative nga grup mosha të ndryshme. Kemi kuptuar që duhet të ketë bashkëpunim ndërmjet gjeneratave”.
Driton Bardheci nga Forumi rinor i AAK-së tha se bashkëpunimi ndërmjet gjeneratave lufton padrejtësitë brenda partive politike.
“Bashkëpunimi ndërmjet gjeneratave lufton padrejtësitë e partive politike. Duhet ta fitojnë me mund pozicionin e vet politik”.