Fondacioni Friedrich Ebert, organizata gjermane GIZ dhe Oda Ekonomike Gjermane-Kosovare, kanë mbajtur konferencën “Arsimi profesional dhe orientimi profesional janë politikë ekonomike”, raporton Ekonomia Online.
Klaus Bader-Labarre nga GIZ-i, tha se bizneset kosovare duhet të jenë sa më aktive dhe të marrin si shembull modelin gjerman.
Ai tha se shumë nga studentët shembujt më të mirë i marrin përmes punës praktike dhe përmes këtyre praktikave të rinjtë marrin aftësi dhe të arritura të reja.
“Jam shumë i bindur që ju do mësoni jo vetëm në universitete e kolegje, por ju do mësoni me shembuj të mirë dhe do merrni praktika të mira nga akterë të ndryshëm që të arrini diçka të re”, tha ai.
Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jan-Alex Voss, tha se përderisa shumë kompani kosovare ofrojnë mundësi punësimi si dhe kërkojnë të rinj të aftë për të punuar, të rinjtë e Kosovës duhet ta eliminojnë mundësinë e migrimit.
Ai tha se Gjermania është e interesuar të përkrahë sistemin arsimor në Kosovë.
“Është me rëndësi që të marrim leksione edhe nga shtetet fqinje që edhe në Kosovë të përdoren dhe është shumë morë të bëhet një ndarje dhe dallim mes teorisë dhe praktikës. Shumë kompani në Kosovë kërkojnë shumë punëtorë por kemi pa njerëz edhe në ambasada duke pritur dhe kemi vërejt që shumë të rinj në Kosovë kërkojnë punë unë jam afro dy vite këtu në Kosovë dhe mendimi im është që këtu mungojë shumë shkolla profesionale dhe mungon praktika në punë. Do ishte më mirë që këtu të rinjtë pak të punojnë dhe jo të shikojnë mundësinë me dalë veç në shtetet e jashtme”, tha ai.
Hysni Ymeri, pronar i kompanisë Hymeri Kleman Company, tha se ata para 3 vitesh si kompani e mirëmbajtjes së ashensorëve ishin përballur me mungesë të stafit të kualifikuar.
Si një zgjidhje për të pasur nja staf të kualifikuar dhe profesional, kompania Hyneri Kleman, ka krijuar një qendër trajnimi ku praktikantëve i është dhënë mundësia të ndjekin arsimimin profesional në sistemin dual.
Ymeri shprehet se në vendin tonë do duhej një angazhim i komplet shoqërisë për të krijuar një sistem të tillë.
“Gjatë këtyre viteve kemi pasë në shumë sfida kur kemi qenë në pjesën e teknikës. Një prej problemeve më të mëdha tek ne në kompaninë tonë kanë qenë përgatitja e stafit profesional. Kemi ardhë në një moment ku kemi pasë shumë projekte në Kosovë e Shqipëri, por kemi pasë mungesë të stafit të kualifikuar. Kemi ardhë tek ideja që me duhet të krijojmë një qendër trajnimi por vetëm sa të mbajmë biznesin tonë. Natyrisht që për një biznes privat të madhësisë tonë pa përkrahje financiare nga institucionet financiare do ishte shumë e vështirë. Na ka marrë rreth 1 vit kohë deri sa kemi identifikuar 3 partnerë gjerman të cilët kanë përvojë rreth 50- 60 vitesh në sistemin dual. Neve na duhet shumë kohë dhe angazhim komplet i shoqërisë ta krijojmë sistemin dual”, tha Ymeri, raporton EO.