Greva e arsimtarëve po përmbyll javën e dytë dhe zgjidhja nuk po duket në horizont. Kërkesat e arsimtarëve janë të drejta, ashtu siç është e vërtetë se nxënësit po dëmtohen jashtëzakonisht shumë në këtë situatë.
Oferta e qeverisë për rritje të pagave ishte e pamjaftueshme dhe sidomos nën dritën e rritjes së pamenduar të pagave për vetveten, numrit enorm të ministrave, zv.ministrave e stafit tjetër përcjellës edhe vështirë e pranueshme jo vetëm nga arsimtarët por edhe nga shoqëria.
Kjo dëshmon sesi një veprim i pamenduar qeveritar mund të shkaktojë një kaos zingjiror në funksionimin e tërë hallkave të shtetit dhe shoqërisë. Duke qenë se kjo çështje duhet të zgjidhet me ligjin për pagat, e ky ligj është në procedura parlamentare, ftoj të gjithë aktorët të përfshihen në një dialog të thellë social.
Qeveria, të gjitha partitë parlamentare, pozitë dhe opozitë si dhe SBASHK-u të fillojnë një dialog i cili do të rezultonte me rishikimin dhe balancimin e koeficienteve, e me që rast do të rriteshin ato për arsimtarët, mjekët etj., dhe do të zvogëloheshin për qeveritarët.
Fillimi këtij dialogu do të duhej të përcillej me ndërprerjen e grevës.