Dy idealistë nga trevat e Llapit, në moshë shumë të re kishin nisur kundërshtimin e forcave të okupatorit serb në Kosovë.
Fahri Fazliu i lindur në vitin 1963 në fshatin Llaushë si dhe Afrim Zhitia dy vjet më vonë në Fshatin Llugë, me veprat e tyre heroike, u bënë shembull frymëzimi për të gjithë ata që për synimi kishin çlirimin nga Serbia.
Të angazhuar si aktivistë dhe organizatorë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, të dy ata ishin pjesë e demonstratave të vitit 1981 që nisi si një lëvizje spontane e studentëve për kushte më të mira, por që u shndërrua në një protestë të gjerë kundër mllefit të akumuluar prej vitesh.
Për shkak të bindjeve patriotike, ata ishin burgosur e përndjekur disa herë nga regjimi serb.
33 vjet më parë (më 2 nëntor të vitit 1989), policia serbe kishte rrethuar banesën ky po qëndronin dy idealistët në lagjen “Bregu i Diellt” në Prishtinë, ndërsa Zhitia dhe Fazliu kishin vendosur që të mos dorëzoheshin.
Të shtënat e armëve kishin nisur rreth orës 12:30 dhe kishin pushuar në orën 19:00. Të dy ata, Fahri Fazliu 24 vjeçar dhe Afrim Zhitia 26 vjeçar, përfunduan të vrarë.
Klan Kosova e ka kontaktuar me kryetarin e Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, i cili ka treguar se Afrimi i cili jetonte në legalitet, shkon te banesa e Fahriut, dhe kështu rrethohen nga forcat serbe.
“Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu kanë qenë ndër figurat kryesore udhëheqëse të lëvizjes çlirimtare, përkatësisht të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Afrimi ka qenë edhe i burgosur politik si shumë i ri dhe bashkërisht në periudhën e vrasjes së tyre kanë qenë pjesë e organizimit të rezistencës në Kosovën e viteve 1989”.
“Në aktivitet e sipër ata ndiqen, dhe Afrimi që jetonte në ilegalite në atë kohë shkon tek banesa e Fahri Fazliut në Kodër të Diellit në Prishtinë. Pasi që hetohen nga organet e sigurimit të asaj kohe, ata rrethohen dhe pas një beteje shumë orëshe vriten nga policia e pushtuesit.
Sipas Muratit, rënia e tyre ka qenë një moment i vështirë për lëvizjen çlirimtare, por edhe një frymëzim për shtimin e radhëve deri në luftën e UÇK-së”.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se trashëgimia e idealeve që kishin ndjekur dhe e veprave që kishin kryer Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, i frymëzoi aktivisht shokët dhe pasuesit e tyre edhe gjatë dekadës në vijim deri në çlirimin e Kosovës më 1999.
“Rënia e tyre dëshmorë në të njëjtën ditë dhe vend, ishte epilog i një vepre heroike të shkruar në bashkautorësi. 33 vite më parë, më 2 nëntor 1989, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, u vranë nga policë të regjimit okupator, pasi kishin luftuar mbi gjashtë orë, nga mesdita deri në ora 19:00″.
“Ata ishin rrethuar nga policia në një banesë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, blloku i tretë, hyrja e tretë, bazë ilegale e tyre”.
Më 11 gusht të vitit 2007, në fshatin e vendlindjes së Afrim Zhitisë, u vu gurëthemeli i vendit përkujtimor memorandues, ku morën pjesë shumë bashkëveprimtarë dhe luftëtarë të lirisë si dhe politikanë të nivelit të lartë të përcjellë nga mediat kosovare.