Te skuadra ku bëri famë lideri i mesfushës së Kosovës, mund të jetë duke u bërë gati për përfaqësuese edhe lideri potencial i mbrojtjes së Kosovës. Bëhet fjalë për skuadrën e madhe austriake, Red Bull Salzburg.
Është mbrojtësi shtatlartë Albert Vallqi që javën e kaluar i luajti dy ndeshjet e para për Salzburgun, pjesë e të cilit për kohë të gjatë ishte Valon Berisha. Vallqi vetëm muajin e kaluar iu bashkua Salzburgut, ndërsa debutoi në 1\16 e finales të Ligës së Evropës kundër Brugget, më 21 shkurt, shkruan Koha Ditore.
Salzburgu e fitoi atë takim me shifrat 4:0, ndërsa ndeshjen e parë e kishte humbur 2:1. Kaloi tutje ku tani në një të tetën e finales do të përballet me Napolin. Kosovari 23-vjeçar u aktivizua në minutën e 77-të. Në fundjavë ai luajti në derbin e Bundesligës së Austrisë, të cilin Salzburgu e humbi 2:0 nga Rapidi i Vjenës. U aktivizua në minutën e 57-të.