Schalke nuk është në pozitë të mirë në garën për mbetje në Bundesligë. Por Shkodran Mustafi ka vendosur të transferohet te kjo skuadër. Ai është larguar nga Arsenali dhe do të luaj për Schalken e vendit të fundit në kampionatit gjerman.
Schalke të hënën mbrëma e liroi në huazim turkun Ozan Kabak te Liverpooli dhe në vend të tij solli Mustafin, kampionin e botës me Gjermaninë nga viti 2014.
Kontrata e Mustafit është e vlefshme deri në fund të edicionit aktual, por detajet e saj nuk janë bërë të ditura. Te Schalke kanë thënë se në aspektin financiar huazimi i Kabakut ishte shumë i mirë. Liveprooli ka opsionin për të transferuar Kabakun në fund të periudhës së huazimit.
“Duhet të shohim në këtë transferim nga dy perspektiva. Largimi i Ozan Kabak nga Schalke ka kuptim në aspektin financiar, sidomos pas efektit të koronavirusit. Ne po ashtu besojmë se kemi nënshkruar një mbrojtës shumë të mirë me Shkodran Mustafin, që do të mbuloj hapësirën që definitivisht do të lë largimi i Ozanit”, ka thënë Jochen Schneider, drejtor sportiv i Schalkes.
Mustafi 28-vjeçar, ka pasur telashe për të siguruar hapësirë te Arsenali së fundi. Ai klubit londinez i ishte bashkuar në vitin 2016 nga Valencia. Në skuadrën spanjolle kishte luajtur dy vjet, ndërsa për dy vjet ishte edhe te Sampdoria në Itali. Mustafi për herë të parë do të luaj në Bundesligë.
Ai për Gjermaninë i ka 20 paraqitje dhe dy gola.