Procesi i përpilimit të listave të veteranëve luftëtarë është ndër turpet më të mëdha të Kosovës së pasluftës.
Me këtë proces është dëmtuar reputacioni i luftës sonë çlirimtare, i dëshmorëve tanë, i luftëtarëve tanë që dhanë çdo gjë që Kosova të jetë e lirë.
Si ish-ministër në qeverinë e kaluar kam kërkuar publikisht në mbledhjen e qeverisë nga ish-kryeministri Mustafa që të kërkojë nga kryeprokurori fillimin e hetimit dhe të ndjekjes penale për fryrjen e listave të veteranëve luftëtar.
Të njëjtën e kemi bërë edhe si LB përmes deklarimeve publike. Sot kryeprokurori Lumezi, duke folur edhe për dorëheqjen e dyshimtë të prokurorit të prokurorisë speciale Elez Blakajt, paska pohuar se në fazën e hetimit janë identifikuar 19.000 persona që shfrytëzojnë beneficionet e veteranit luftëtar në mënyrë të paligjshme.
Vazhdoj të jam i bindur se edhe ky numër është i vogël, por sidoqoftë, reagimi i institucioneve të ndjekjes duhet të jetë i shpejtë dhe efikas. Kështu shpëtohet nderi i luftës sonë çlirimtare, i luftëtarëve dhe dëshmorëve, por edhe buxheti i Kosovës. Një reagim i organeve të drejtësisë me guxim në këtë drejtim, do të godiste mentalitetin klientelist të partive politike dhe klaneve të ndryshme kriminale, të cilat kanë keqpërdorur këtë proces për përfitime politike dhe financiare.
Njëkohësisht ky reagim, do të ishte një hap drejt rivendosjes së një besimi ndaj organeve të drejtësisë, besim i cili edhe ashtu kështu është i vogël, e i cili është luhatur edhe më shumë këto ditë nga dorëheqja e prokurorit Blakaj.