Të shtëna me armë janë dëgjuar mbrëmjen e së hënës në qytetin bregdetar të Vlorës, duke shqetësuar banorët e lagjes “Pavarësia 3”, por që rezultoi pa shkaktuar të plagosur.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 22 të mbrëmjes, kur disa persona kanë shtënë 3 herë me armë zjarri tip pistoletë.
Reagimi në kohë i efektivëve të policisë së Rendit ka bërë që autorët të identifikohen, ndërkohë që po punohet për kapjen e tyre.
Në vendngjarje kanë shkuar forca policie dhe një grup hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes, transmeton tch.
Arsyet e të shtënave nuk dihen, por policia ka gjetur në vendngjarje disa gëzhoja.