Policia e Kosovës ka konfiskuar një armë zjarri pasi një person dyshohet se shtiu me armë gjatë një ahengu familjar në fshatin Mollopolc të Shtimes.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rasti ka ndodhur të hënën, më 3 gusht 2026, rreth orës 12:00, kur policia ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri.
Në komunikatë thuhet se njësitë policore kanë reaguar menjëherë, duke identifikuar të dyshuarin me inicialet A.S., 37 vjeç, i cili ka pranuar se kishte shtënë me armë.
“Njësia policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë identifikuar të dyshuarin me inicialet A. S. (37 vjeç), i cili ka pranuar se kishte shtënë me armë dhe ka dorëzuar një armë (pistoletë), si dhe një gëzhojë”, thuhet në komunikatën e policisë.
Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave policore, ndaj të dyshuarit është iniciuar rast për veprat penale “Përdorimi i armës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.
“Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rast ‘Përdorimi i armës’ dhe ‘Mbajtje në pronësi dhe posedim i paautorizuar i armës’ për procedurë të mëtejme, ndërsa i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt hetimore”, thuhet në komunikatë.
Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos përdorin armë zjarri gjatë ahengjeve dhe festimeve, duke theksuar se veprime të tilla rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
“Policia Rajonale e Ferizajt apelon te qytetarët që të mos përdorin armë zjarri gjatë ahengjeve familjare dhe festimeve, pasi një veprim i tillë rrezikon jetën dhe sigurinë e të tjerëve. Çdo rast i përdorimit të armëve do të trajtohet sipas dispozitave ligjore. Qytetarët ftohen të festojnë në mënyrë të sigurt dhe çdo rast të dyshimtë ta raportojnë në numrin 192 ose përmes aplikacionit ‘Lajmëro Policinë’”, përfundon komunikata.