Te kampioni i Sllovakisë, Slovani i Bratislavës, janë të bindur se do ta eliminojnë kampionin e Kosovës, Feronikelin në raundin e dytë të Ligës së Evropës.
Slovani po shihet favorit përballë Feronikelit në këtë fazë të garave pas eliminimit në raundin e parë të Ligës së Kampionëve. Slovani u eliminua nga Sutjeska e Nikshiqit derisa Feronikeli prej uellsianëve të The New Saints. Dueli i parë ndërmjet Slovanit dhe Niklit do të zhvillohet të mërkurën (24 korrik) mbrëma në Bratislavë, kurse ai i kthimit pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, shkruan sot Koha Ditore.
Slovani tashmë ka lënë pas vetes eliminimin nga Sutjeska dhe këtë e dëshmoi kur të shtunën në kuadër të xhiros së parë të kampionatit të Sllovakisë arriti fitore. Triumfoi 3:1 në udhëtim kundër skuadrës FK Pohronie. Në këtë ndeshje te Slovani debutoi trajneri Vladimir Radenkoviq që është i përkohshëm dhe do ta drejtojë ekipin edhe në ndeshjet kundër Niklit.