Ka disa gjëra që askush nuk do t’jua thotë, por që është e rëndësishme t’i dini përpara se të filloni punën tuaj të parë. Që nga zhgënjimet e deri te kënaqësitë, janë të pafundme ndjesitë që do të provoni kur të nisni punë për herë të parë…
E rëndësishme është që mos të pushtoheni nga paniku dhe aventurën tuaj të re ta filloni me shpirt të drejtë.
Mund të mos ndiheni rehat
Si fillim mund të mos ndiheni rehat. E gjitha kjo mund t’i japë jetë një ndjesie paniku të përgjithshëm. Por jepini vetes kohë, do të shihni se, qysh javët e para do të ndiheni si në një ambient familjar.
Do t’ju duket sikur nuk kuptoni asgjë
Jeni shkolluar, por në momentin kur do të shkoni në punë do t’ju duket se të gjithë do t’ju flasin në një gjuhë të pakuptueshme. Por mendojeni pak: jeni vetëm në ditën tuaj të parë të punës, mos jini shumë kërkues ndaj vetes. Më mirë qëndroni të fokusuar, dëgjoni eprorin tuaj dhe me kalimin e kohës gjithçka do t’ju duket më e qartë.
Nuk do të keni një zyrë të gjithë tuajën
Kjo nuk është ndonjë gjë e madhe, e rëndësishme është të keni një vend ku mund të punoni dhe të demonstroni se sa vleni.
Puna e re nuk mund t’ju pëlqejë
Punën tuaj të re mund ta jetoni ndryshe nga ajo se si e kishit imagjinuar: ndoshta shumë të lodhshme ose të mërzitshme. Nuk duhet të jetë me çdo kusht puna e jetës suaj. Merreni si një mundësi për t’u futur në botën e punës dhe për të fituar përvojë.
Do të filloni të vlerësoni shumë fundjavën
Nëse do të keni një punë në zyrë, nga e hëna në të premte, do të filloni të vlerësoni shumë fundjavën ashtu siç nuk e keni vlerësuar kurrë më parë.
Mund të bëni gjëra që nuk ju takojnë
Shefi mund t’ju kërkojë t’i bëni një kafe, ndërsa kolegu më i vjetër një pirg me fotokopje. Jini të durueshëm. Normalisht e gjitha kjo është çështje kohe.
Kolegu juaj mund të jetë antipatik
Nëse më parë kishit të bënit me miqtë tuaj të zemrës, në zyrë nuk do të gjeni të njëjtën situatë, përkundrazi kolegu ose kolegia juaj mund t’ju duket antipatik/e. Nuk është e thënë t’u dukeni të gjithëve simpatikë, e rëndësishme është të bëni mirë punën tuaj.
Duhet të mësoni si të organizoni kohën
Në punë mund të punoni me orë të zgjatura ose me turne, por kjo nuk do të thotë të stresoheni: organizojeni kohën tuaj me ndihmën e një agjende dhe do të shihni se do t’ia dilni, do të gjeni kohë për palestër, për të bërë pazare për të dalë me miqtë etj.
Do të provoni emocionin e rrogës së parë
Kur të merrni rrogën e parë, vetvetiu do të harroni të gjithë lodhjen e muajit dhe do të mbusheni me energji për 30 ditët e tjera në vazhdim.
Do të keni shumë për të mësuar
Një punë e re, ka gjithmonë diçka për t’ju mësuar. Ajo do t’ju rrisë, do t’ju lejojë të keni më shumë siguri në vete dhe nëpërmjet saj do të zbuloni aftësi të paditura ndaj vetes. Pra, ka ardhur momenti të rriteni!