Telashet e sigurisë në “WhatsApp”, 60 mijë grupe ende të qasshme në internet

Prishtinë | 29 Shk 2020 | 13:34 | Nga Ekonomia Online

Një hetim ekskluziv i Deutsche Welles ka zbuluar se vjegëzat e aplikacionit të komunikimit “WhatsApp” që çojnë në grupe të mbyllura mund të gjenden me një kërkim të thjeshtë në “Google”, me gjithë zemërimin publik që nxiti kompaninë t’i ndryshojë qëndrimet dhe t’i largojë nga “Google”.

Megjithatë, arkivat në dispozicion të internetit vazhdojnë të ruajnë informacione, ka bërë të ditur eksperti i sigurisë Lav Kumar.

Ai ka mbledhur dhe organizuar mbi 60 mijë vjegëza unike, të cilat ende mund të gjenden në shumë faqe interneti. Nga 1 sosh, të përzgjedhura rastësisht dhe të testuara nga ekspertë të DW-së, 427 ishin të dhomave aktive të komunikimit. Edhe pa u bërë pjesë e ndonjë grupi, emrat, përshkrimet, fotografitë dhe numrat e telefonave të përdoruesve bëhen të qasshëm publikisht nga të gjithë.

Duke përdorur këtë informacion, DW fitoi qasjen në një grup të përshkruar si “Ministria e Shërbyesve Civilë” në Indonezi, duke zbuluar kësisoj numrat e telefonit të të gjithë 14 anëtarëve. Disa grupe të tjera dukej se ishin grupe zyrtare mbështetëse për fushatën e presidentit brazilian, Jair Bolsonaro.

Për të testuar informacionin e përftuar, në mes të 427 vjegëzave aktive që DW-ja analizoi, u kuptua se kishte grupe për klasa shkollore, trajnerë mjekësorë, fushata politike, biznese, pornografi dhe punonjës seksi. Disa grupe përfshinin anëtarë me identitete delikate, si për shembull, një bisedë me qindra anëtarë të etiketuar qartë, si një grup LGBTQ+ në një vend të Amerikës Latine që mban një shkallë të lartë të vrasjeve homofobike.

Në disa raste imazhi i grupit dukej si pornografi amatore ose kishte tituj të tillë si “ish-gratë që shfaqen në video”, duke vënë në dukje këtu çështjen e dhënies së pëlqimit. Të listuar ishin gjithashtu edhe grupe terroriste të mundshme dhe grupe të reklamuara për ndarjen e pamjeve më përmbajtje seksuale “ekstreme”, përfshirë edhe përdhunime. Një numër i vogël treguan se kishin të bënin me pornografi të fëmijëve. WhatsApp i tha DW se kompania ka një politikë të fuqishme dhe tolerancë zero rreth abuzimit seksual të fëmijëve dhe i ndalon urgjentisht përdoruesit nëse zbulohen se ata ndajnë përmbajtje që shfrytëzojnë ose rrezikojnë fëmijët. Platforma gjithashtu pretendon të ndalojë afërsisht 250.000 llogari çdo muaj, që dyshohet se ndajnë imazhe shfrytëzuese të fëmijëve dhe mbështetet gjithashtu edhe në raportimet dhe denoncimet e përdoruesve dhe gjithë informacionet e pakoduara për ta bërë këtë.

Në përgjigje të zbulimeve disa përdorues të Twitterit theksuan se këto informacione mund të përdoren nga autoritetet për të gjetur përmbajtje të paligjshme pa mundësinë që WhatsApp të ofrojë një “prapavijë” zyrtare për përmbajtjen e koduar. “Sigurisht që ekziston mundësia që ata e lanë atë të hapur për të kërkuar për grupe problemesh”, i tha DW-s Jake Moore, specialist i sigurisë në internet dhe ish-shef i Mjekësisë Ligjore në një forcë policore britanike. Sidoqoftë, hetimet mbi terrorizmin e ekstremit të djathtë në Gjermani tregojnë se organizatat kanë përdorur ‘Whatsapp’-in për të prezantuar anëtarët me njëri-tjetrin.

Megjithëse nuk është teknikisht shkelje e të dhënave, Jane Manchun Wong, inxhiniere aplikacionesh, e quajti këtë defekt sigurie “të rrjedhshme dhe të keqe, sepse njerëzit prisnin që linqet e ftesave të ishin private deri në njëfarë pike”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme