Minatorët e minierës së Trepçës kanë hyrë në javën e dytë të grevës për shkak se ende nuk i kanë marrë pagat për dy muajt e fundit.
Mëngjesin e ditës së djeshme, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës mbajti takim me punëtorët e kësaj ndërmarrjeje, ndërsa Bordi i Trepçës theksoi se janë në komunikim të vazhdueshëm me qeverinë për zgjidhjen e këtij problemi.
E sot nga Qeveria e Kosovës, me anë të një kumtese për media thanë se janë të përkushtuar për të përkrahur ndërmarrjen Trepça Sh.A.,por që pavarësisht mbështetjes që qeveria i ka dhënë gjatë gjysmës së parë të këtij viti, thotë se ndërmarrja ka operuar me humbje si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme.
“Ministria e Ekonomisë ka përkrahur ndërmarrjen me subvencione në vlerë prej 3.3 milionë euro, që është përtej shumës së planifikuar për të gjithë vitin. Megjithatë, këto mjete nuk u kanë mjaftuar për të siguruar mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të punonjësve, që përbëjnë pjesën e konsiderueshme të shpenzimeve të ndërmarrjes”, thuhet në kumtesën për media nga Zyra e Kryeministrit.
Tutje theksohet se Ministria e Ekonomisë në mënyrë të vazhdueshme ka inkurajuar menaxhmentin e ndërmarrjes për të optimizuar shpenzimet dhe se së fundmi, me pranimin e kërkesës së ndërmarrjes për ndarjen e mjeteve financiare shtesë, kjo ministri dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Bordi mbikëqyrës dhe menaxhmenti që të prezantojnë një plan veprimi.
“Ne presim që të adresohen në mënyrë të qartë, efektive dhe të qëndrueshme sfidat e ndërmarrjes. Në veçanti, Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga ndërmarrja që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve, si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet në komunikim të vazhdueshëm me Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes. Sigurojmë se të gjitha palët janë të angazhuara maksimalisht për një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë e tyre”.
“Njëkohësisht, Qeveria është duke trajtuar planin e propozuar nga ndërmarrja Trepça Sh.A. Përkrahja financiare varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit”, thuhet tutje në kumtesë.
Nga Qeveria e Republikës së Kosovës më tej theksojnë se janë të bindur që me një bashkëpunim të ngushtë dhe përkushtim të përbashkët, mund të arrihen përmirësime të ndjeshme dhe rezultate pozitive për ndërmarrjen Trepça dhe për të gjithë punonjësit e saj.
“Nuk ekziston asnjë rrugë tjetër përpos punës dhe angazhimit intensiv, rregullit, kontrollit dhe drejtimit të përgjegjshëm të ndërmarrjes për sukses”, tha Qeveria e Kosovës.