Mos përmbushja e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100,000 numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G, ka ndikuar që Telekomi i Kosovës t’i ketë borxh “Z-Mobile”, 26 milionë euro, i cili borxh ishte vendosur nga arbitrazhi ndërkombëtar.
Pikërisht për këto keqpërdorime po akuzohen tre ish-drejtuesit e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), tash Telekomi i Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, të cilët fillimisht ishin shpallur të pafajshëm nga shkalla e parë, mirëpo rasti ndaj tyre në maj të këtij viti ishte kthyer në rigjykim.
Rasti ndaj tyre është i njohur si “Posta”, dhe është edhe rast i shenjëstruar për liberalizim të vizave, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pasi rasti ishte kthyer në rigjykim në maj të këtij viti, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lufti Shala ka thënë se për shkak të gjendjes me pandeminë Covid-19, nuk kanë caktuar ende seanca.
Kjo aktakuzë ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të Gjykatës dhe pastaj kontestit në Arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-Mobile dhe Valës, ndërsa Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës po pretendon se tre të akuzuarit duke e keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare i kishin shkaktuar humbje Telekomit të Kosovës afro 30 milionë euro, lidhur me kontratën me Z-Mobile.
Aktakuza në këtë rast ishte ngritur me 17 gusht 2018 nga PSRK, me pretendimin se tre ish-drejtuesit e PTK-së, kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i KPRK-së.
Seanca fillestare ishte mbajtur me 27 shtator 2018, ku tre të akuzuarit kishin mohuar në tërësi aktakuzën e PSRK-së, ndërsa me 7 nëntor kishin kërkuar që të hudhet kjo aktakuzë.
Këto kërkesa të tyre i kishte marrë për bazë edhe gjykatësi i këtij rasti, Lutfi Shala i cili në dhjetor 2018 e kishte hudhur poshtë këtë aktakuzë, me pretendimin se nuk ishte vërtetuar se të akuzuarin kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.
Por, në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e PSRK-së, të ushtruar ndaj këtij aktvendimi, duke vlerësuar se kjo çështje duhet të gjykohet.
Pas tetë seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 21 tetor 2019 nuk i kishte gjetur fajtor tre ish-drejtuesit e PTK-së, në mungesë të provave të besueshme.
“Vërtetohet se ndërmjet dy kompanive PTK dhe Z-Mobile është lidhur një kontratë. Të gjitha veprimet e ndërmarra nga palët kontraktuese gjykata ka pretenduar se këto veprime janë ndërmarrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që i kanë pasur të dyja palët, por pasi të dyja palët kanë pasur pretendime të ndryshme lidhur me kontratën, palët i janë drejtuar ARKEP, i cili ka marrë vendim me të cilin është obliguar PTK që të rezervojë numeracionin 457 ku gjykata ka vërtetuar se PTK ka ndarë këtë numeracion për Z-Mobile. Për gjykatën nuk paraqet asnjë element i veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, kishte deklaruar gjykatësi Shala, me rastin e shpalljes së aktgjykimit.
Sipas gjykatësit Shala, gjykata kishte gjetur se të gjitha provat e propozuara nga PSRK-ja, si dëshmitar, e po ashtu edhe provat tjera materiale vetëm kanë konstatuar ekzistimin e një marrëdhënieje kontraktuale juridiko-civile dhe asgjë më shumë.
Në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se trupi gjykues ka vlerësuar se të gjitha proceset gjyqësore të cilat janë zhvilluar pas paraqitjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve nuk mund të konsiderohen si veprime inkriminuese të të akuzuarve, siç ka pretenduar prokuroria me aktakuzën e saj, por sipas trupit gjykues, këto veprime janë vetëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet kontraktuale.
Më tej, në arsyetimin e gjykatës thuhet se pasi palët me kontratën e tyre janë pajtuar që mosmarrëveshjet që mund të lindin në mes tyre, nëse nuk do të kishte pajtueshmëri, zgjidhjen e tyre do ta kërkonin qoftë përmes gjykatave vendore ashtu edhe përmes Arbitrazhit Ndërkombëtar, e cila edhe ka ndodhur për shkak se palët kanë pasur interpretime të ndryshme rreth obligimit të pretenduar të Z-Mobile se PTK-ja, nuk e ka pajisur atë me sistemin 3G dhe 4G, por sipas trupit gjykues, kjo nuk do të mund të konsiderohet si keqpërdorim i pozitës zyrtare.
Kundër këtij aktgjykimi lirues, ankesë kishte paraqitur PSRK, për shkak të pretendimeve për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke propozuar që jy aktgjykim të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Këto pretendime të PSRK-së i kishte marrë për bazë Gjykata e Apelit e cila në maj të këtij viti këtë rast e kishte kthyer lëndën në rigjykim.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se pretendimet ankimore të Prokurorisë Speciale lidhur me liferimin e sim-kartelave dhe numeracionit janë të bazuara, ndërsa sa i përket shërbimeve 3G dhe 4G, si dhe procedura e tenderimit për përfaqësimin e PTK-së në arbitrazh dhe ankesës ndaj vendimit të arbitrazhit, nuk janë të bazuara.
Sipas Gjykatës së Apelit, janë të bazuara pretendimet ankimore përkitazi me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Sipas shkallës së dytë, duke mos vepruar, respektivisht duke mos përmbushur kontratën, të akuzuarit i kanë mundësuar kompanisë “Dardafon.net” që të parashtrojë padi në arbitrazh ndërkombëtar, ku pas procedurës të arbitrazhit është marrë vendim që kompanisë së lartcekur t’i paguhen 32,856,407, 28 euro dëmshpërblim dhe urdhërimi për përmbushjen e kontratës, si dhe lidhur e procedurën para dhe pas arbitrazhit PTK është dëmtuar në shumë prej 5,049,681,69 euro dhe 60,000.00 GBP(funte), si shumë e pagesës së kompanisë për përfaqësim ligjor dhe shpenzime tjera.
Apeli thuhet se pjesërisht pajtohet me gjetjet e shkallës së parë, megjithatë jo tërësisht, çka e bënë aktgjykimin të paqëndrueshëm në tërësi, për faktin se në përshkrimin e gjendjes faktike janë të përfshira të gjitha mos veprimet që është dashtë të ndërmerren nga të akuzuarit, po që nuk janë dhënë arsye të qarta për disa nga to.
Në lidhje me shërbimet 3G dhe 4G, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë drejtë kishte konstatuar se lidhur me këto shërbime, Bordi i Drejtorëve dhe Kryeshefi Ekzekutiv kishin qenë të këshilluar nga drejtori i Departamentit Ligjor, Sabahedin Ramaxhiku, si zyrtar kompetent për këto çështje, se sipas kontratës Dardafon nuk e ka të drejtën e këtyre shërbimeve.
Ndërsa, sa i përket liferimit të sim-kartelave, Apeli gjen se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i qartë, me arsyetimin se është evidente se sipas kontratës PTK ka marrë obligim për liferimin e sim-kartelave, ndërsa për këto PTK i ka dhënë me vonesë prej 435 ditëve për porosi që janë bërë në vitin 2010, 2011 dhe 2013.
Gjithashtu, thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk i referohet vendimit përfundimtar të arbitrazhit lidhur me çështjen e vonesave të liferimit të sim-kartelave.
“PTK si e paditur kishte dhënë arsye të shumta pse nuk i kanë liferuar sim-kartelat me kohë, por asnjëra nga to nuk kishte pas bazë të arsyeshme dhe se nuk kanë pasur ndikim që të ketë vonesa siç është theksuar në vendimin e arsyetuar të arbitrazhit. Njëra nga këto arsye ishte ajo që theksohet në aktgjykimin e ankimuar, se vonesat kishin ndodh pa fajin e PTK-së sepse vareshin nga Monako Telecom kur bëhej fjalë për ekzekutimin e kërkesës për liferim të sim-kartelave. Por, siç rezulton nga aktgjykimi i arbitrazhit, ku nuk ishte pretendim i bazuar sepse nuk kishin prezantuar asnjë provë në procedurë të arbitrazhit për këtë çështje, e po ashtu gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është prezantuar ndonjë provë që e dëshmon se vonesat janë bërë pa fajin e PTK-së. Për këtë aktgjykimi i ankimuar nuk shpjegon se në çka bazohet apo cila është ajo provë që e dëshmon se faji për vonesa është i ndërlidhur nga Monaco Telecom”, thotë Apeli.
Kurse, sa i përket liferimit të sim-kartelave, thuhet se duhet të sqarohet edhe pozicioni i Agron Mustafës, për faktin se i njëjti nuk ka qenë Kryeshef Ekzekutiv në kohën kur pretendohet për vonesat e liferimit të sim-kartelave, pasi sipas Apelit, thuhet se vendimi i arbitrazhit flet për vonesat në kërkesat të bëra në vitin 2010, 2011 dhe 2013, ndërsa i akuzuari Mustafa ka marr detyrën në shkurt të vitit 2015 dhe nga përshkrimi i gjendjes faktike në pikën e aktakuzës ndaj Mustafës, rezulton se i njëjti akuzohet edhe për vonesën e liferimeve të sim-kartelave për periudhën sa nuk ka qenë në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv.
Sipas Apelit, në aktgjykimin e ankimuar jepet shpjegim se plani kombëtar i numeracionit të telefonisë si dhe furnizimi i operatorëve telefonik me pjesën e tij si bllok i numeracionit është veprim ekskluziv i rezervuar për Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit ( ARKEP), sipas ligjit 04/l-109 mbi Komunikimet Elektronike, dhe se vendimi i ARKEP është realizuar, ku PTK kishte marr bllokun e numeracionit 377 45 7xx xxxprej 100.000 numrave. Por, kjo nuk rezulton të jetë e saktë sipas shkesave të lëndës.
Tutje, thuhet se kjo gjykatë gjen se gjykata e shkallës së parë nuk merret fare me vendimin përfundimtar të arbitrazhit, me gjetjet e saj dhe provat që i ka administruar dhe vërtetuar si të sakta, dhe se as Prokuroria Speciale nuk i jep rëndësi vendimit të arbitrazhit me rastin e marrjes në pyetje të dëshmitarëve relevant dhe të akuzuarve për zbulimin e dashjes, por vetëm e lexon si provë materiale që të përcaktoj shumën e përcaktuar si dëm dhe konstatimin që shpall përgjegjës PTK-në si të paditur.
Apeli pasi e kishte kthye rastin në rigjykim, kishte konstatuar se gjykata e shkallës së parë duhet ti administroj të gjitha provat dhe t’i vlerësoj ato në pajtim me nenin 361 duke dhënë arsyetim për çdo provë kundërthënëse sipas nenit 310 të KPPRK-së, të shqyrtohet dhe të vlerësoj provat kundërthënëse në raport me vendimin përfundimtar të arbitrazhit, të nxjerr transkriptet e seancave të arbitrazhit ku janë dëgjuar apo lexuar dëshmitë e dëshmitarëve, të vlerësojë pretendimet e PTK-së në procedurën e arbitrazhit nga dokumentet e listuara në vendimin përfundimtar të arbitrazhit në faqen 10 si parashtresa të paditurit, në raport me provat tjera të administruara të vlerësoj përgjegjësinë e të akuzuarve në vendimmarrjen e tyre lidhur me vonesën në liferimin e sim-kartelave dhe mos respektimin e vendimit të ARKEP-it të vlerësojë dëmin e shkaktuar dhe kujt i është shkaktuar dëm.
Përkatësisht, thuhet se duhet të vlerësojë se sipas nenit 19, paragrafi 1, pika 1.7 dhe 1.14, a ka pasur dëm edhe PTK-ja nga veprimet e të akuzuarve dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave të nxjerr konkluzione të drejta e të ligjshme të bazuara në provat e administruara e pastaj të merr vendim të drejt dhe ligjor.
PSRK, më 17 gusht 2018, kishte ngritur aktakuzë, ndaj Ejup Qerimit, Agron Mustafës dhe Rexhë Gjonbalajt, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i KPRK-së.
Sipas aktakuzës, nga 19 shkurti 2015 kur Agron Mustafa ishte zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së e deri me 24 maj 2017, edhe pse nuk kishte qenë kompetent në kontestin mes PTK-së dhe tani të dëmtuarës DARDAFON.net (Z-Mobile), kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit.
Me ketë veprim, sipas prokurorisë, janë shkaktuar vonesa në lifterimin e Sim-kartelave, nuk kishte furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i kishte dhënë shërbimet 3G dhe 4G të dëmtuarës.
Edhe pse për këtë kontratë, për veprën penale “lidhja e kontratave të dëmshme”, me aktgjykim të formës së prerë në qershor 2011, ishin liruar pesë persona, e po ashtu edhe pse autoriteti rregullativ i komunikimeve elektrike dhe postare, tani të dëmtuarës Z-Mobile iu ishte lejuar përdorimi i numeracionit jo-gjeografik 045, i njëjti këto vendime nuk i kishte zbatuar.
Në këtë mënyrë, siç pretendon prokuroria, përkundër përpjekjeve të të dëmtuarës për zgjidhje të kësaj marrëveshje dhe për eliminimin e arbitrazhit të mundshëm, Mustafa nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me këtë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Mustafa, në procedurën e arbitrazhit kishte angazhuar kompaninë “Studioligji”, për të përfaqësuar kompaninë në arbitrazh, në të cilën procedurë gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë vendim në dobi të së dëmtuarës.
Në bazë të këtyre veprimeve të Mustafës, prokuroria po pretendon, se PTK-ja ka qenë e detyruar që ti paguajë të dëmtuarës Z-Mobile 32.856.407.28 euro, pa llogaritur shpenzimet tjera të procedurës së arbitrazhit, në vlerë mbi 500.000 euro, dhe 65.000 funta.
Lidhur me këtë kontest në mes PTK-së dhe Z-Mobile, si në gjykatat vendore ashtu edhe në atë të arbitrazhit, pas të cilave procedura gjyqësore, PTK-ja ishte dëmtuar miliona euro, përpos Mustafës, për periudhën 2012-2014, është duke u akuzuar edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, dhe kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.
Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në dëm të të dëmtuarës Z-Mobile, e po ashtu duke i shkaktuar dëm edhe PTK-së.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte njohur të drejtën Z-Mobile për realizimin e borxhit milionësh, ndërsa ia kishte refuzuar kundërshtimin Telekomit të Kosovës.
Telekomit të Kosovës i ishin bllokuar llogaritë bankare nga përmbaruesi, pasi gjykata i kishte dhënë të drejta Dadafon.Net në pronësi të Blerim Devollit për përmbarimin e borxhit prej 25 milion euro.
Po ashtu, Zyra e Kryeministrit Abdullah Hoti, kishte njoftuar se ishte mbajtur një takim me drejtuesit e Telekomit të Kosovës, po nuk kishte dhënë detaje nëse ishte vendosur diçka për të dal nga gjendje e rëndë financiare e Telekomit.
Në këtë komunikatë thuhet se Kryeministri i Republikë së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi, kishte takuar drejtuesit dhe sindikalistët e Telekomit të Kosovës, me të cilët kishte diskutuar për gjendjen e krijuar pas bllokimit të llogarive të Telekomit, si dhe për hapat që duhen marrë për tejkalimin e kësaj gjendjeje.
Po ashtu, lidhur me gjendjen në Telekomin e Kosovës, Kuvendi i Kosovës në maj të vitit 2019, kishte zhvilluar një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën seancë ishin dëgjuar akuza në mes deputetëve të partive në pushtet dhe atyre të opozitës.
Pas konstatimit të krizës në Telekomin e Kosovës për shkak të borxheve të shumta të akumuluara, Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kishin thirrur këtë seancë, pasi kompania Z-Mobile i kishte bërë kërkesë Telekomit për shlyerjen e borxhit prej rreth 26 milionë eurosh.