Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Kompanisë “Telekomi i Kosovës” për vitin 2020, raporton Ekonomia Online.
Anëtari i VV-së, Eman Rrahmani në kuadër të këtij raporti tha se ky raport ka për qëllim kryesor për të nxjerrë pamjen e qartë materiale dhe mbi qeverisjen në bazë të rregullave nga kjo kompani.
Tutje ai tha se kompania qëndron me një humbje dhe borxhe të mëdha.
“17 milionë është borxhi i mbledhur në kuadër të kësaj kompanie, që shënon një problem në vete. Situata në përgjithësi vazhdon të jetë e rëndë dhe ka një përkeqësim të platformave dhe projekteve”, tha Rrahmani.
Në Raportin e kësaj kompanie, deputeti Eman Rrahmani tha se ka shumë probleme në kuadër të dëmeve që i ka sjellë si pasojë e keq menaxhimit, duke bërë që të dëmtohet shumë Telekomi.
Gjatë këtij komisioni raportuan edhe përfaqësues nga Telekomi, Burbuqe Hana, ushtruese e detyrës së kryeshefes së Telekomit tha se të gjeturat e raportit tregojnë gjendjen e vështirë të Telekomit.
“Po të gjeturat e raportit tregojnë mirë gjendjen e Telekomit, dhe janë të gjetura të rënda normalisht, që çdo vit është edhe më keq dhe pajtohemi me këtë”, tha Hana.
Kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami, adresoi disa pyetje kundrejt përfaqësuesve të Telekomit dhe planet e së ardhmes.
Ushtruesja e kryeshefes të Telekomit, Burbuqe Hana tha se janë duke u përpjekur që të punojnë në planet e veprimit dhe mënjanimin e problemeve.
“Ka filluar gjobitja në vlerë prej 5 mijë eurove, dhe implementimi i Kodit të Monakos, dhe akoma paguajmë borxh”, tha Hana.
Në kuadër të këtij komisioni u adresuan pyetje dhe shqetësime edhe nga deputete tjerë prezent, mbi problemet e Telekomit.