Telekomi i Kosovës pret të rritet kualiteti i shërbimeve që i ofron, përmes brezave të reja frekuencore, ka thënë për Radio Kosovën, zëdhënësi i Telekomit Arsim Bilalli.
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), është në proces të vlerësimit të brezave frekuencore dhe gjatë muajve në vijim operatorët e telefonisë mobile do të dinë saktësisht vlerën e brezave të reja që do të mund të shfrytëzojnë.
Pengesat e kohëpaskohshme të shfaqura për shfrytëzuesit e telefonisë mobile të Telekomit të Kosovës, sipas zëdhënësit Arsim Bilalli, nuk kanë të bëjnë me implementimin teknik të Kodit të ri +383, por mund të jenë si pasojë e furnizimit me energji elektrike që shkakton rënien e stacioneve bazë, përkatësisht antenave.
Po ashtu sipas tij, mund të jenë shkak i mbi-shfrytëzimit të Teknologjisë 3G nga numri i madh i konsumatorëve.
“Duke marrë parasysh shfrytëzimin e madh të rrjetit 3G, brezat frekuencore aktuale për zgjerim të kapaciteteve në 3G dhe rritjes së mbulimit në 4G LTE – nuk janë të mjaftueshme”, tha Bilalli.
Ai theksoi se kualiteti i shërbimeve të Telekomit do të rritet me frekuencat e reja.
“Jemi në fazën e Këshillimit publik të udhëhequr nga ARKEP për hapjen e brezave, ku Telekomit të Kosovës do t’i jepet mundësia për blerje të mjaftueshme të brezave ku pritet që do të rritet kualiteti i shërbimeve”, tha Bilalli.
E kryetari i Bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi, ka konfirmuar se së shpejti do të dihet vlera e secilit brez frekuencor.
“ARKEP është në proces të vlerësimit të brezave frekuencore dhe gjatë muajve në vijim do të dihen saktësisht vlerat e secilit brez dhe operatorët aktualë të telefonisë mobile do të dinë saktësisht vlerën e ri-licencimit të tyre për brezat që ata kanë në dispozicion dhe njëkohësisht vlerën minimale të brezave të reja që ata do të mund ta shfrytëzojnë në të ardhmen”, tha Gashi.
Sa i përket shërbimit të internetiti në 4G/LTE, Telekomi i Kosovës nuk ka probleme, andaj zëdhënësi Arsim Bilalli i inkurajon konsumatorët të shfrytëzojnë shërbimet 4G.