Telekomit të Kosovës i ka mbetur vetëm një javë për të negociuar me “Z-Mobile” lidhur me afatin e pagesës së borxhit prej 25.9 milionë eurosh.
Nëse nuk arrihet marrëveshje, “Z-Mobile” ka paralajmëruar të fillojë procedurat e përmbarimit, nga e cila Telekomi do t’i humbë edhe afro 5 milionë euro shtesë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ekzekutimin e afro 26 milionë eurove kompania “Z-Mobile” po e kërkon nga Telekomi i Kosovës mbi bazën e vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit në Odën Ekonomike Ndërkombëtare të vitit 2016.
Shkresa me të cilën “Z-Mobile” i është drejtuar Telekomit ka nxitur reagim dhe akuza të ndërsjella në mes të udhëheqësve të Telekomit dhe Qeverisë. Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, ka akuzuar ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, se po e dëshiron falimentimin, duke e proklamuar atë.