Fillimi i muajit korrik do të karakterizohet me mot pothuaj të ngjashëm me ditët e fundit të qershorit., sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHK).
Kjo situatë vije si pasojë e temperaturave të larta dhe formimin e vranësirave konvektive në stadet e ulëta dhe të mesme të troposferës.
“Vendi ynë vazhdon të ndikohet nga masat e nxehta të ajrit të ardhura nga Afrika Veriore, të cilat do të mbeten prezent mbi Gadishullin tonë deri me datë 6-7 korrik dhe vlerat e këtyre temperaturave të larta do të krijojnë kushte për stuhi lokale të përcjella me reshje dhe shkarkime rrufesh”, thuhet në njoftim.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30-34 gradë celsius.
Indeksi UV vazhdon të mbetet i lartë dhe bëjmë apel që të respektohen këshillat e IHMK dhe të IKSHP.
Do të fryjë erë e lehtë dhe lokalisht e fortë nga drejtimi i perëndimit dhe veriperëndimit.