Temperaturat e larta, edhe Gjykata Komerciale vendos për reduktim të punës

Prishtinë | 01 Kor 2025 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Pas Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës Supreme, edhe Gjykata Komerciale ka vendosur që të reduktojë orarin e punës.

Sipas njoftimit, kjo Gjykatë do të punojë me orar nga ora 08:00 deri në orën 14:00, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Në mbështetje të Vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nr. 01/802, të datë 27 qershor 2025, dhe pas vlerësimit të kushteve aktuale të punës në ambientet e Pallatit të Drejtësisë, të cilat janë përkeqësuar si rezultat i temperaturave të larta dhe mungesës së sistemit funksional të klimatizimit, Kryetari i Gjykatës Komerciale, z. Mahir Tutuli, pas konsultimeve me Gjyqtarët e Dhomave të Shkallës së dytë, Udhëheqësit e Departamenteve të Dhomave të Shkallës së parë, U.D. Administratorin e Gjykatës dhe stafin administrativ, ka vendosur ndërmarrjen e masave si në vijim: Orari i punës në Gjykatën Komerciale do të jetë nga ora 08:00 deri në 14:00…”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, thuhet se shërbimet administrative do të vazhdojnë të jenë funksionale edhe pas orës 14:00, me staf të reduktuar, sipas rotacionit të përcaktuar nga udhëheqësit përkatës.

“Seancat gjyqësore të planifikuara pas orës 14:00 do të mbahen sipas orarit të paraparë, përveç në rastet kur gjyqtari i çështjes, vlerëson se kushtet nuk janë të përshtatshme për zhvillimin e tyre. Stafi që vuan nga sëmundje kronike do të lirohet nga detyrat e punës duke filluar nga ora 12:00. Këto masa kanë karakter të përkohshëm dhe do të rishikohen vazhdimisht, në përputhje me zhvillimet klimatike dhe vlerësimet e menaxhmentit të gjykatës”, njofton Komercialja.

Bëhet e ditur se zbatimi i këtyre masave do të vazhdojë deri më 25 korrik 2025, me mundësi zgjatjeje ose ndryshimi, sipas nevojës.

“Vendimi për ndërmarrjen e këtyre masave ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së stafit gjyqësor, administrativ, si dhe të palëve pjesëmarrëse në gjykatë, si pasojë e kushteve të vështira të punës, të krijuara nga temperaturat e larta dhe mungesa e klimatizimit”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme