Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar qytetarët dhe operatorët ekonomikë se, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e nesërme, janë plotësuar sërish kushtet për zbatimin e vendimit për kufizimin e përkohshëm të qarkullimit të automjeteve për transportin e mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhë.
Sipas njoftimit, kufizimi do të zbatohet nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara arrijnë 32°C ose më shumë.
Ndërkohë, bazuar në njoftimin e ministrisë, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, nuk do të ketë kufizime, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me vendim.
“Ministria do të vazhdojë monitorimin e përditshëm të temperaturave dhe do të njoftojë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo ndryshim lidhur me zbatimin e këtij vendimi”.