Deputetët e PDK-së, Ardian Kastrati dhe Blerta Deliu-Kodra e kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Integrim Evropian pasi që zëvendëskryeministri Bisnik Bislimi ka refuzuar të i’u përgjigjet pyetjeve të tyre, raporton Ekonomia Online.
Kastrati e pyeti për dialogun me Serbinë në Bruksel, por që Bislimi nuk iu përgjigj kësaj pyetje. Kastrati po ashtu i tha Bislimit po luajnë me popullin.
“Çfarë do të bëni me ofertat që keni në tavolinë me dialogun? Ju prapë po doni me shkuar në zgjedhje. Tradhti e radhës nga lideri juaj supremë, çka keni me bo ju me negociatat me Serbinë?”.
Kastrati tha se Bislimi duhet të tregojë nëse VV-ja ka ndryshuar qëndrimet pasi që është në pushtet.
Pasi që Kastrati iu referua Kurtit si “lider suprem”, kanë reaguar deputetët e VV-së.
Ndërsa Bislimi iu kundërpërgjigj duke thënë se Kastrati nuk ka ndryshuar tash e 10 vite prej kur se e ka larguar nga puna si asistent.
“Prej atij Adriani që ne e kemi largu prej punës para 10 vjetëve ke qenë njëjtë. Nuk ke ndryshuar fare”, tha Bislimi.
Më pas ka reaguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu. Duke dalë nga salla, Kastrati tha se Bislimi ka bërë “kërcim me parashutë në karrierën e tij”.
“Ti e ke bë një kërcim në karrierë me parashutë. Ti je kukull, të kanë pru këtu, e ke tradhtuar elektoratin tënd”.
Edhe deputetja e AAK-së Time Kadriaj, ka lëshuar sallën pasi që fillimisht ka kërkuara një raport të detajuar me shkrim për të gjitha ato që u thanë nga Bislimi, duke kërkuar që të kihet kujdes me deklaratat për UÇK.
“Kjo Qeveri do të jetë Qeveria më pro-UÇK që keni pasë”, është përgjigjur Bislimi.