Tensione në Kuvend, Konjufca: Ndërpritet kjo seancë, shkojmë në shtëpi

Prishtinë | 29 Qer 2023 | 14:22 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Seanca e nisur pas orës 12:00 ka përfunduar para kohe. Pikat e para të rendit të ditës ishin disa marrëveshje ndërkombëtare dhe u kërkua votimi dhe prania e 80 deputetëve.

Por, shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri tregoi se partia ku ai bën pjesë nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare.

“Ne kemi hezituar për t’i votuar këto marrëveshje të enjten. Kemi qenë shumë hezitues për këtë çështje”.

Mimoza Kusari-Lila e quajti të pakuptimtë deklaratën e Tahirit. Ajo kërkoi që të arrihet numri i duhur i deputetëve për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

“Dëshpëruese ndryshimi i qëndrimit dhe pavërtetat që i thotë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Asnjëherë Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka pasur pretendime për kërcënim apo devijim të seancës”, tha ajo, teksa i kërkoi Tahirit të mos akuzojë dhe ndryshojë fjalët e tij.

“Mos bën lojëra tilla. Ju jeni njerëz të padijshëm, të paaftë. S’mundesh me drejtu një grup parlamentar siç duhet. S’është problem i PDK-së ky. Si GP nuk ua votojmë marrëveshjet. Problemin kryesor e kemi te paaftësia juaj”, tha Tahiri, teksa kërkoi nga Konjufca që t’i qetësojë deputetët, pas polemikave dhe tensioneve të krijuara në sallë.

Më pas, Konjufca njoftoi ndërprerjen seancës së Kuvendit të Kosovës. “Atëherë ndërpritet kjo seancë. Shkojmë në shtëpi”, tha ai, i cili paraprakisht i kërkoi sinqeritet Tahirit të PDK-së.

“Jeni pajtuar në një pikë, do të sjellim aq deputetë sa kemi mundësi. Nuk ka qenë që nuk do t’i votoni marrëveshjet ndërkombëtare. Ai është qëndrim i PDK-së, unë e respektoj. Sinqeritet po kërkoj, kjo më ndihmon në mbarëvajtjen e seancave. Këto po ta kërkoj. Kaq e thjeshtë është”.

Dy pikat e para të seancës së sotme që ishin marrëveshje ndërkombëtare janë: Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, dhe shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.

Të ngjashme