Banorët e Rrjollit u ngritën sërish në protestë këtë të shtunë (13 qershor) për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti turistik në zonë. Banorët u nisën drejt kantierit të punimeve, teksa nuk munguan edhe përplasjet me policinë. Protestuesit hodhën poshtë rrethimin metalik të vendosur, duke u futur brenda ambienteve të kantierit.
Protestuesit mbanin pankarta në duar me shkrime: “toka nuk preket”
Projekti për resortin shtrihet në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh ndërsa është kundërshtuar me forcë nga banorët e zones edhe më herët, për shkak të problemeve me pronësinë e tokës. Ata pretendojnë se tokat e tyre janë grabitur me dokumente false dhe më pas i janë shitur kompanisë ndërtuese.
Ata kanë depozituar një kërkesë zyrtare në Prokurori, ku kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë ligjore lidhur me vërtetësinë e dokumenteve që disponojnë për pronësinë e tokës në zonën e Rrjollit, aty ku po ndërtohet resorti turistik.
Nga ana tjetër, kompania Gener 2 ka theksuar se projekti turistik është në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar./rtsh.al/