Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka thirrur për një bisedë ambasadorin serb, Vladimir Bozhoviç, për incidentet e mbrëmshme në Beograd, raporton Andolu Agency (AA).
Mbrëmë, mediat raportuan se tifozët e klubit të basketbollit Crvena Zveda protestuan para ambasadës malazeze në Beograd dhe ndezën flamurin malazez me fishekzjarre.
Ministria malazeze e dënoi ashpër incidentin përpara Ambasadës së Malit të Zi në Serbi.
“Për shkak të përpjekjes për të ndezur flamurin e Malit të Zi dhe sulmeve të vazhdueshme mbi flamurin malazez dhe Ambasadën në Beograd, ambasadori serb në Mal të Zi Vladimir Bozhoviç është ftuar në një bisedë në Ministrinë e Punëve të Jashtme”, thuhet në reagim.
Gjithashtu theksohet se është i papranueshëm sulmi ndaj Ambasadës dhe simboleve kombëtare të një vendi fqinj dhe miqësor. Ministria rikujtoi që agjencitë e sigurisë së Serbisë nuk u përgjigjën, megjithëse sulmi ndaj Ambasadës u njoftua dy ditë më parë dhe zgjati më shumë se një orë.
Gjithashtu theksohet se është përgjegjësi e vendit pritës të sigurojë funksionimin normal dhe sigurinë e misioneve diplomatike dhe përfaqësive konsullore të vendeve të tjera, dhe të parandalojë incidente të tilla që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet bilaterale të dy vendeve.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Serbisë, në përputhje me legjislacionin e saj kombëtar dhe konventat ndërkombëtare, të përgjigjen urgjentisht ndaj këtij akti vandal dhe të ndërmarrin masa të duhura sa më shpejt kundër organizatorëve dhe autorëve që shkelin sigurinë e ambienteve të Ambasadës së Malit të Zi”, tha Ministria e Jashtme e Malit të Zi.