Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një sulm kundër një strukture bregdetare, nga e cila, sipas tij, po bëhej ngarkimi i drogës, raporton agjencia “AP”.
Trumpi fillimisht e konfirmoi sulmin gjatë një radio-interviste të improvizuar të premten, ndërsa të hënën, kur u pyet nga gazetarët lidhur me një shpërthim në Venezuelë, ai tha se SHBA-ja ka goditur një strukturë nga e cila anijet po ngarkoheshin me drogë për transport.
“Pati një shpërthim të madh në zonën e portit ku ata ngarkojnë anijet me drogë”, tha Trump, ndërsa u takua në Florida me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu. “Ata ngarkojnë anije me drogë, kështu që ne goditëm të gjitha anijet dhe tani goditëm zonën. Është zonë zbatimi. Atje është vendi ku ata zbatojnë. Dhe kjo nuk është më aty”.
Administrata Trump ka bërë të ditur se synim i sulmit ishin anijet që kontrabandonin drogë për në SHBA. Ndryshe nga sulmet e mëparshme, që kryheshin nga ushtria në ujërat ndërkombëtarë të Detit të Karaibeve dhe Lindjes së Oqeanit Paqësor, këtë herë sulmet po afroheshin më pranë bregdetit.
Ushtria amerikane njoftoi se kreu një tjetër sulm të hënën kundër një anijeje, e cila sipas pretendimeve kontrabandonte drogë në Lindje të Oqeanit Paqësor, duke shkaktuar vdekjen e dy personave. Që nga fillimi i shtatorit, janë kryer 30 sulme të tilla, me të paktën 107 të vrarë, sipas shifrave të administratës Trump.
Presidenti Trump nuk ka konfirmuar nëse sulmin e ka kryer Ushtria Amerikane apo CIA, as vendndodhjen e saktë të strukturës portuale. Ai madje nuk ka pohuar në mënyrë të qartë nëse goditja ka ndodhur në Venezuelë.
“E di saktësisht se kush ishte, por nuk dua të them se kush ishte. Por, ju e dini se ishte përgjatë bregdetit”, tha Trump.