Procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës, i zhvilluar brenda të gjitha parametrave demokratikë dhe reagimi i diplomacisë ndërkombëtare për të penguar praktikimin e pushtetit të dalë nga këto zgjedhje, është një ogur i keq për Kosovën. Gojëkëqinjt po thonë se kjo mund të jetë paradhoma e një protektorati të ri në veri të vendit tone. Ky është një sinjal se Kosova në të ardhmen duhet të përgatitet për një përkufizim të brendshëm etnik, ku serbët do të kenë status special, me të drejta ekstrademokratike, të pa njohura në asnjë shtet tjetër dhe në asnjë konventë ndërkombëtare. Se pse po iu bëhen koncesione të tilla kaq bujare serbëve, në dëm të sovranitetit të Kosovës, kjo mbetet të shihet dhe të analizohet në periudhën në vazhdim. Kjo është një sfidë që nuk është barrë vetëm e qeveris aktuale, por e gjithë shoqërisë kosovare
Situata në veri të Kosovës, që nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, më 23 prill, e deri sot, ka kaluar nëpër një spirale ngjarjesh e turbulencash nga më të ndryshmet, ku erdhi në shprehje sërish antagonizmi në mes të prirjes për ta shtri sovranitetin shtetëror edhe në këtë pjesë të vendit tonë dhe kundërshtimi i dhunshëm i serbëve që të mos njihet procesi zgjedhor, i cili nxori fitues kryetarët shqiptarë të katër komunave veriore. Në vend se ky proces zgjedhor të prodhojë efekte vendimarrëse për të gjithë qytetarët e kësaj pjese të vendit, ndodhi e kundërta.
Ndodhi ultimatum i politikanit të Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili, me direktiva të Beogradit, kërkoi që të largohen njësitë speciale nga ajo pjesë e vendit tonë dhe kryetarët e zgjedhur shqiptarë të komunave (dy prej tyre) t’i lirojnë objektet komunale.
Trajtat e dhunshme të këtij ultimatumi rezultuan madje me mbi njëzetë ushtarë të KFOR-it të plagosur në Zveçan, disa prej të cilëve me lëndime të rënda. Serbët agresivë, shumica prej të cilëve të importuar nga Serbia, sulmuan ushtarët e KFOR-it të cilët ishin vendosur në mes të policisisë së Kosovës dhe protestuesve serbë. Ishte ky një mision i vështirë për një ushtri shumëkombëshe e cila në Kosovë ka mandat të siguroj paqe për të gjithë.
Por, kur janë në pyetje raportet shqiptaro-serbe, paqja ende është një nocion i paperceptueshëm. Në vend se të gjithë, pa dallim etnie e feje, t’i gëzojnë frytet politike nga bilanci zgjedhor, në veri të vendit tonë po ndodhë diversioni mbi këtë proces. Kjo për shkakun se rregullat nuk i caktojnë votuesit, kushdo qofshin ata, por i cakton Beogradi dhe i miraton, fatkeqsisht, në heshtje një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Presidenti Vuçiq i ndodhur në mengelen e trazirave dhe pakënaqësive kolektive në Serbi, ka zgjedhur t’i ikë presionit të brendshëm duke e përdorur sërish Kosovën si balon që vazhdon të fryhet me propagandë dhe shantazh. Në vend se t’iu japë përgjigje shumë çështjeve të mprehta që kanë ngritur protestuesit serbë në Serbi, Vuçiqi parapëlqen të dislokohet bashkë me një pjesë të ushtrisë së tij afër kufijve të Kosovës. Duke qenë afër Kosovës, Vuçiqi mendon se do të largohet paksa nga telashet që po ia shkaktojnë qytetarët e vendit të tij, të cilëve nuk po iu intereson Kosova por siguria dhe perspektiva e tyre.
Vuçiqi vazhdon me logjikën e instalimit të psikozës kolektive nacionaliste mbi Kosovën që “sërish duhet rikthyer”, ku serbët, të paktën një pjesë e verbër e tyre, si konsumues të kësaj psikoze vazhdojnë të besojnë se kjo një ditë mund të ndodhë, prandaj ata pranojnë urdhëra nga Vuçiqi që të shkojnë në veri të Kosovës dhe të plagosin ushtarë të KFOR-it. Kjo pjesë e serbëve, është një turmë e painformuar, sepse kokat e tyre janë të mbushura me indoktrinim anti-Kosovë, pikërisht siç e përshkruan edhe Bardhyl Mahmuti në librin e tij “Eskadronët e vdekjes”, ku masakrat mbi shqiptarët ishin kryer nga serbët të cilët fillimisht ishin informuar gabimisht se shqiptarët kishin vra fëmijë, gra e pleqë serbë nëpër fshatra të ndryshme të Kosovës. Katarsa shpirtërore që ndodhë te këta serbë është e vonshme, por opinioni publik e kupton se inxhinjeringu i urrejtjes kundër shqiptarëve ishte përpunuar fillimisht si një laborator që prodhon dezinformata. Sepse vetëm duke qenë të informuar gabimisht mbi sitiuatën në Kosovë, siç e ka përshkruar bukur B. Mahmuti në librin e tij, ushtarët dhe policët serbë, një pjesë e tyre, përveç se me armë konvencionale, ishin armatosur edhe me urrejtje të skajshme ndaj shqiptarëve, sepse ndryshe s’ka si të shpjegohet motivi i tyre për të vra shqiptarë, madje foshnje të posalindura dhe gra shtatzëna.
Një skenar i ngjashëm, por me trajta tjera, po provohet të reprizohet sërish në Kosovë. Propaganda e Vuçiqit nuk pushon së prodhuari armiqë të jashtëm të popullit serb, ndërkohë që problemet e brendshme kanë prekur majën e aizbergut. Të gjithë diktatorët përdorin metodat e njejta. Ata janë të prirur ta defokusojnë vëmendjen e popullatës vendore me ngjarje që i paketojnë si kauza kombëtare, e që në fakt janë perde tymi për të penguar shikimin e qartë mbi situatën që zhvillohet në oborrin e shtëpisë.
Tani për tani Vuçiqi e ka zgjedhur Kosovën të jetë një perde tymi për të kamufluar realitetin në Serbi, i cili nuk është aspak në favor të tij. Por, kjo taktikë e Vuçiqit fatkeqësisht nuk po lexohet drejt nga diplomatët e huaj dhe për pasojë kemi një situatë absurde ku Kosova si vend i pavarur po e pëson më së shumti.
Këtë situatë më së miri ndoshta e ka deshifruar, Janus Bugajski, bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Jamestown në Washington. Ai ka reaguar ndaj sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, i cili dënoi ashpër aksionin e Policisë së Kosovës në veri.
Ai tha se mbështetja e SHBA për Vuçiqin po destabilizon rajonin. Është koha për të mbështetur një revolucion demokratik në Serbi dhe njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet evropian , shkroi Bugajski në Twitter.
Në të njëjtat valë ishte edhe Daniel Serwer nga universiteti Johns Hopkins në Washington DC, sipas të cilit presidenti serb Vuçiq ka dëshmuar në dy mënyra se i kontrollon serbët në veri të lumit Ibër. Së pari, zgjedhjet e 23 prillit ishin paqësore. Kjo nuk do të ishte e mundur pa urdhrin e tij. Merreni si konfirmim që Beogradi historikisht ka urdhëruar të gjitha trazirat atje. Së dyti, shumica dërrmuese e serbëve nuk votuan. Këtë e ka urdhëruar edhe Vuçiqi. Zemërimi i Vuçiqit ka për qëllim të maskojë faktin se ai do të vazhdojë të qeverisë de facto katër komunat veriore, me shumicë serbe nga Beogradi, duke përdorur rrjetin e tij të oficerëve të sigurimit dhe kriminelëve të organizuar, konstaton Serwer.
Analisti amerikan dhe eksperti për Ballkan, Daniel Serwer, ka pyetur nëse Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka dënuar dhunën e protestuesve serbë ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan.
“E ka denoncuar Sekretari Blinken akoma dhunën e djeshme ndaj KFOR-it?. Ende po pyesni se në cilën anë dëshironi të jeni?”, ka shkruar Serwer.
Ky reagim i Serwer vjen pasi sekretari Blinken e ka kritikuar Qeverinë Kurti pasi kjo e fundit ka vendosur që me forca policore t’i asistojë kryetarët e rinj që të hyjnë në objektet komunale.
Skenarët destabilizues të Vuçiqit kanë filluar të lexohen edhe nga vetë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që nuk mendojnë si ai. Njëri prej tyre, Boban Bogdanoviç, në një paraqitje në Euronews Albania, komentoi protestat në Serbi dhe situatën në veri të Kosovës. Ai tha se edhe pse ishte një kohë me shi, në rrugët e Beogradit u mblodhën rreth 300 mijë njerëz në protestën “Serbia kundër dhunës”. Ai nënvizoi se këto protesta mund të sjellin dhe fundin politik të presidentit Vuçiç, të cilin e cilësoi si burimin e dhunës në të gjithë Ballkanin. Bogdanoviç e fajësoi Vuçiçin dhe për situatën në veri të Kosovës dhe shprehi frikën për përshkallëzimin e përplasjes së armatosur mes bandave serbe dhe autoriteteve të Republikës së Kosovës. Pas Millosheviçit erdhi Vuçiçi në Serbi dhe ai është burimi i dhunës në gjithë Ballkanin Perëndimor. Ai është arsyeja pse nuk ka paqe në Serbi, ai është arsyeja pse nuk ka paqe mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo është një kohë shumë shumë e keqe, një kohë e tmerrshme pasi situarta mund të përshkallëzohet në Kosovë. Nuk dua të besoj që kriminelët nga veriu i Kosovës, Radojçiq dhe strukturat e tij kriminale mund të përshkallëzojnë përplasjet me armë. Kjo nuk është e mirë për marrëdhëniet tona dhe për rajonin, tha Bogdanoviç per Euronews Albania.
Në anën tjetër diplomacia amerikane, përmes përfaqësuesve të saj në rajon, ka shprehur pakënaqësi të hapur me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar, siç thonë ata, me dhunë pushtetin në katër komunat veriore.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një takim me disa gazetarë në Prishtinë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra të premten. Atë ditë, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – kanë hyrë në ndërtesat komunale me ndihmën e Policisë së Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë serbë.
“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Hovenier.
Ai e citoi sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se këto veprime do të ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kosovë. Hovenier tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023” është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim.
“Sot nuk ka pasur aktivitet për ‘Defender Europe ’23’ dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”, tha Hovenier.
“Ne i kemi kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona tjera”, shtoi ai.
Edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të martën ka thënë se Kosova duhet t’i pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave të komunave në veri të vendit, si hap i parë i shtensionimit. Njëkohësisht, ka bërë thirrje që edhe protestuesit e dhunshëm të tërhiqen.
Por si duket, jo të gjithë politikanët në Washington janë të kënaqur me këto qëndrime të diplomacisë amerikane mbi Kosovën. Kongresmeni amerikan, Richie Torres, ka mbetur i zhgënjyer nga Sekretari i Shtetit të tij, Antony Blinken, i cili dënoi veprimin e institucioneve të Kosovës për ngjarjet e djeshme në Veri. Torres tha se Kosova është aleat i SHBA-së dhe se ishte ndër vendet e para që pranoi refugjatët afganë kur kjo iu desh SHBA-së.
“Kosova është një aleat i palëkundur i SHBA-së. Kur SHBA-së i duheshin vende për të pranuar refugjatët afganë, Kosova ishte e para dhe ndër të paktat që u pranoi në këtë rast. Është zhgënjyese për mua dhe për votuesit e mi shqiptarë të shoh Sekretarin Blinken të sulmojë publikisht një aleat të SHBA-së”, ka shkruar ai, duke rishpërndarë deklaratën e Blinkenit.
Edhe Alicia Kearns, kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit. Ajo, me anë të një cicërime në Twitter, ka thënë Serbia i paguan grupet kriminale të serbëve në veri, si dhe i ka sugjeruar të gjithë që të lexojnë një artikull të Nju York Times të publikuar ditë më parë lidhur me këtë çështje. “Në veri të Kosovës, bandat serbe po paguhen dhe armatosen me armë nga Beogradi”, ka shkruar Kearns.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë lidhur me situatën e krijuar në tri komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pasi hyrja në zyra të komunave e kryetarëve të rinj u kundërshtua nga serbët lokalë. Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se ndërtesat komunale janë të shtetit të Kosovës, prandaj ato, sipas tij, nuk “janë marrë dje dhe nuk do të merren asnjë ditë tjetër”.
“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj, do të ishte mospërmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës, dhe do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, tha Kurti.
Për të dalë nga kjo situate e tensionuar, u zhvillua edhe një takim në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier. Ky i fundit pas takimit deklaroi se folën për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Ai tha se nuk mund të deklarojë se ka një marrëveshje me Kurtin se si duhet të ndodhë çtensionimi i situatës, megjithatë tregon kërkesën që ia kanë bërë Kurtit.
“Kemi marrëveshje se deeskalimi duhet të ndodhë, por nuk e di se a mund të them se ka marrëveshjes se si duhet të ndodhë ai. Ajo që mund të them është se çfarë SHBA-ja po kërkon është ajo se ne besojmë se nuk është e nevojshme për kryetarët e zgjedhur që të punojnë çdo ditë nga ato objekte [komuna]. Në fakt, ne rekomandojmë që për një afat të shkurtër, kjo të mos ndodhë”, ka thënë ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.
Zhvillimet në veri të Kosovës nuk kanë mundur të mos jenë edhe pjesë e vëmendjes së Kremlinit. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se situata në Kosovë është alarmante dhe se mund të provokojë një tjetër konflikt në qendër të Evropës.
“Një shpërthim i madh po përgatitet në qendër të Evropës – pikërisht në vendin ku, në vitin 1999, NATO-ja sulmoi Jugosllavinë, duke shkelur çdo parim të imagjinueshëm të Aktit Final të Helsinkit dhe të dokumenteve të OSBE-së”, tha Lavrov gjatë një vizite në Kenia, raporton agjencia shtetërore ruse, RIA Novosti. Ai shtoi se situata kërkon një “zgjidhje gjeopolitike” që do të garantonte sigurinë e vendeve evropiane. Sipas tij, “asnjë bllok, përfshirë NATO-n, nuk ka të drejtë të pretendojë dominim në atë pjesë të planetit”.
Opinioni publik në Kosovë ende e ka të paqartë se si është e mundur që zgjedhjet në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, madje edhe diplomatëve të BE-së dhe Washingtonit, i plotësuan të gjitha standardet demokratike. Në kët frymë ishte edhe deklarata e Emisarit Special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se administrata amerikane do t’i njoh rezultatet e atyre zgjedhjeve.
Nëse është kështu, atëherë si është e mundur që kryetarët e zgjedhur në mënyrë legjitime të mos mund të hyjnë në zyrat e tyre, të cilët do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësinë e tyre etnike e fetare.
Këtë pyetje e bën çdo qytetar i Kosovës, sidomos ata që votuan më 23 prill në katër komunat veriore, ndërkohë që ata që nuk votuan, ishin të detyruar të bojkotojnë procesin zgjedhor. Këtë e bënë pa vullnetin e tyre, sepse regjimi i Beogradit po punon fort që Kosovën ta paraqes si një “vilajet i errët” ku nuk ka jetë për serbët. Kjo propagandë e artikuluar përmes mediave të kontrolluara nga Vuçiqi, ka publikuar më shumë se 3 000 tituj me përmbajtje luftëxitëse kundër Kosovës në këto dhjetë vitet e fundit.
Serbia edhe mediatikisht, edhe ushtarakisht nuk po rresht së prodhuari psikozë luftarake ndaj Kosovës. Për rrjedhojë Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, ditëve të fundit ka shpërnda “zarfa të kaltër” , për të ashtuquajturën “ushtrim të rregullt ushtarak”, dedikuar pjesës rezervë të ushtrisë së Serbisë.
Këtë njoftim e ka konfirmuar edhe Instituti “Octopus”, sipas të cilit “propaganda i ka shërbyer si armë e fuqishme Hitlerit për strategjinë ekspansioniste ushtarake. Në anën tjetër, mediat e kontrolluara ruse, me vite të tëra propaganduan kundër Ukrainës, deri në agresionin ushtarak”.
Nëse e zbërthejmë nëntekstin e këtij njoftimi të Instituti “Octopus”, nuk e kemi shumë vështirë ta kuptojmë edhe strategjinë e Vuçiqit, i cili duke i gënjyer dhe dezinformuar ndjekësit e tij me lloj lloj paragjykimesh kundër shqiptarëve dhe Kosovës, po mundohet ta mbaj gjallë alibinë e tij kundër shtetësisë së Kosovës.
Sipas Instituti “Oktopus”, kjo bëhet edhe më shqetësuese, duke marrë parasysh që si rusët, ashtu edhe vëllezërit e tyre serbë, në prag të rrezikimit të pushtetit, nisin konflikte të reja. “Historia është mësuese e mirë e praktikës”, përfundon njoftimi.
Tensionet në veri të Kosovës mund t’i shërbejnë më së tepërmi presidentit serb Vuçiq, po jo edhe interesave të Kosovës. Prandaj kreu politik dhe shtetëror i Kosovës duhet ta lexojë ndryshe situatën, duke mos iu dhënë adute shtesë nacionalistëve serbë të paraqiten si viktimë në gjithë këtë skenar ngjarjesh të rrezikshme të dizajnuara në Beograd.
Presidenti serb do të donte të vazhdojnë tensionet në veri të Kosovës, në mënyrë që vëmendja e mediave botërore të defoksuohet nga protesttat masive të qytetarëve serbë. Madje edhe dorëheqja e presidentit serb, Aleksander Vucic, nga pozita e kryetarit të partisë, nuk ka mbetur pa u komentuar nga mediat prestigjioze botërore. Duke i dhënë hapësirë këtij njoftimi, agjensia amerikane e lajmeve Associated Press ka shkruar për një lëvizje të tillë të Vuçiqit, si një taktikë për të krijuar një lëvizje më të gjerë politike për shkak se po përballet me një valë protestash anti-qeveritare. Mediumi amerikan ka vënë në dukje se Aleksander Vuçiqi shpesh është kritikuar që po vazhdon të mbajë dy pozita, atë të presdientit dhe të kryetarit të partisë. Sipas analistëve, kjo është një përpjekje e presidentit të Serbisë për të rigrupuar sa më shumë njerëz pas një dekade pushtet dhe pas presionit publik gjithmonë e më shumë në rritje. Associated Press përmend protestat masive që po organizohen pas dy ngjarejve tragjike, dhe përmenden gjithashtu edhe akuzat e protestuesve drejt qeverisë për krijimin e një atmosfere me gjuhë urrjetjeje kundër kundërshtarëve politikë dhe fushatat e pamëshirshme propagandistike në mediat kryesore serbe.
Ndërkohë për dorëheqjen partiake të presidentit të Serbisë ka shkruar edhe agjensia franceze e lajmeve Frans Press, duke thënë se mitingu i organizuar të premten ngjante me një fushatë elektorale. France Press raportoi deklaratën e drejtorit ekzekutiv të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CESID), Bojan Klaçar, i cili ka thënë se krijimi i një lëvizje të re politikë është “një mënyrë për të kapërcyer krizat që potencialisht mund të shpërthejnë brenda SNS”. Sipas tij, Vuçiq dëshiron të sigurojë një mandat tjetër politik duke krijuar një lëvizje të re.
Procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës, i zhvilluar brenda të gjitha parametrave demokratikë dhe reagimi i diplomacisë ndërkombëtare për të penguar praktikimin e pushtetit të dalë nga këto zgjedhje, është një ogur i keq për Kosovën. Gojëkëqinjt po thonë se kjo mund të jetë paradhoma e një protektorati të ri në veri të vendit tone. Ky është një sinjal se Kosova në të ardhmen duhet të përgatitet për një përkufizim të brendshëm etnik, ku serbët do të kenë status special, me të drejta ekstrademokratike, të pa njohura në asnjë shtet tjetër dhe në asnjë konventë ndërkombëtare.
Se pse po iu bëhen koncesione të tilla kaq bujare serbëve, në dëm të sovranitetit të Kosovës, kjo mbetet të shihet dhe të analizohet në periudhën në vazhdim dhe kjo është një sfidë që nuk është barrë vetëm e qeveris aktuale, por e gjithë shoqërisë kosovare.
Sa më poroze të jetë kjo shoqërie me qëndrime të paharmonizuara, aq më të lehta do të bëhen skenarët për ta bërë Kosovën shtet sa më jofunskional.