Tensionet në veri, reagon edhe Rusia

Prishtinë | 27 Maj 2023 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Rusia do të vazhdojë ta mbështesë Serbinë në mbrojtjen e të drejtave të saj legjitime në raport me Kosovën, ka thënë një zyrtar i Ministrisë së Jashtme ruse, një ditë pas tensioneve në veri.

Të premten kryetarët e rinj të komunave në Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan tentuan të hynin në objektet komunale, një ditë pas betimit, por u përballën me qytetarë serbë që bllokuan hyrjet e objekteve komunale. Policia ka ndërhyrë për t’i shpërndarë protestuesit, ndërsa kryetarët hynë e dolën nga objektet komunale.

Yuryy Philipson ka thënë se çdo vendim për Kosovën duhet të jetë i pranueshëm për serbët dhe i miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

“Perëndimi, në stilin e tij të preferuar cinik, po e trajton në mënyrë selektive të drejtën ndërkombëtare, duke u përpjekur me të gjitha forcat që ta zëvendësojë dokumentin bazë me skema të njëanshme që nuk marrin parasysh interesat themelore të popullit serb dhe e detyrojnë atë të pranojë ‘shtetësinë’ e provincës”, ka thënë Philipson, transmeton RIA Novosti.

Veprimet e autoriteteve të Kosovës dje në veri i kanë dënuar ashpër aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të ngjashme